Ndërlidhjet

Dunford: Ukrainës duhet dhënë armatim vdekjeprurës për mbrojtje


Gjenerali Joseph Dunford

Shefi i Shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane, Joseph Dunford, tha mbrëmë se rekomandon që Shtëpia e Bardhë ta ndihmojë Ukrainën me armatim mbrojtës vdekjeprurës, në mënyrë që ajo të jetë në gjendje që më mirë ta mbrojë vetveten kundër çfarëdo avancimi të mundshëm të ardhshëm të Rusisë në këtë vend.

Gjenerali Dunford, mëtutje, në dëshminë e tij në Komitetin e Shërbimeve të armatosura të Senatit të Shteteve të Bashkuara, tha se propozimi i tij për këtë gjë është në pritje për vendim në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ish-presidenti, Barack Obama, e kanë ndihmuar Ukrainën me armatim ushtarak jovdekjeprurës, siç janë radarët dhe pajisje të tjera, por kanë refuzuar ta furnizojnë me ndihmë vdekjeprurëse, me të cilën do të mund të përshkallëzohej lufta me separatistët e mbështetur nga Rusia në pjesën lindore të këtij vendi.

Gjenerali Dunford tha se “sipas vlerësimit tim, nga perspektiva ushtarake, Ukrainës i duhen kapacitete shtesë për ta mbrojtur sovranitetin e saj”.

XS
SM
MD
LG