Kryeministrja britanike, Theresa May, do të vazhdojë sot dhe nesër negociatat me liderët e tjerë evropianë, për daljen e Britanisë nga BE-ja.
Përpara samitit, May u zotua se do ta bëjë sa më lehtë të mundur për shtetasit e BE-së që të mbeten në Britani, edhe pas Brexit-it.
Në një letër të hapur për shtetasit e BE-së, May tha se procesi i aplikimit digjital për zgjidhje të statusit do të jetë “efikas” dhe me çmim “sa më të ulët”.
Ajo po ashtu tha se Londrta dhe BE-ja janë në “distancë prekëse” sa i përket marrëveshjes për të drejtat e qytetarëve.
Në Bruksel, May do të përballet me 27 liderët e tjerë të BE-së, të cilët do të vlerësojnë përparimin e përgjithshëm të negociatave të deritashme për Brexit.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se nuk pritet ndonjë kthesë e madhe në samit.
Negociatat kanë ngecur për disa çështje, përfshirë statusin e ardhshëm të 3 milionë shtetasve të BE-së që jetojnë në Britani dhe të 1 milion britanikëve që jetojnë gjetkë në bllok.