Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Një i vrarë dhe dy të plagosur në afërsi të Prishtinës


Policia e Kosovës konfirmon vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve në fshatin Sharban, të Komunës së Prishtinës.

Pas këtij incidenti, Policia ka arrestuar pesë persona të dyshuar për këtë rast, të cilin Prokuroria e ka cilësuar si vrasje e rëndë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti .

Ahmeti njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, kur kishte marrë informacionin se në fshatin Sharban ka pasur të shtëna me armë zjarri.

''Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes'', ka thënë Ahmeti.

Në vendin e ngjarjes, ishte konstatuar se rasti ka të bëjë me vrasje dhe plagosje nga armët e zjarrit. Viktima, thuhet se është një 60 vjeçar, kurse të plagosur janë dy persona, 33 dhe 30 vjeç.

Policia ka njoftuar po ashtu se hetuesit policorë janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast.

XS
SM
MD
LG