Ndërlidhjet

Spanja e mori kontrollin e Katalonjës, Puigdemont kërkon “durim”


Carles Puigdemont (majtas) dhe Mariano Rajoy
Carles Puigdemont (majtas) dhe Mariano Rajoy

Qeveria e Spanjës e ka marrë kontrollin direkt të Katalonjës dhe e ka shkarkuar qeverinë e saj separatiste.

Lidhur me këtë veprim, ka folur kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, mbrëmë vonë në Madrid.

“E kam shpërndarë parlamentin e Katalonjës dhe kam shpallur zgjedhje për 21 dhjetor në këtë rajon. Një ditë më parë, presidenti i Katalonjës e kishte rastin e fundit për ta kthyer gjendjen legale dhe t’i thërras zgjedhjet. Kjo ishte ajo që shumica e madhe e popullit në Katalonjë e kishin kërkuar. Ai nuk donte ta bënte këtë. Prandaj, qeveria e Spanjës do të ndërmerr masa për ripërtritjen e ligjshmërisë”, tha Rajoy, i cili tash e merr edhe përgjegjësinë që e kishte presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont.

Zoti Puigdemont sot ka kërkuar “kundërshtim demokratik” ndaj marrjes së kontrollit të Katalonjës nga ana e qeverisë qendrore në Madrid, pas shpalljes së deklaratës së pavarësisë së këtij rajoni.

Në një deklaratë të shkurtër televizive, Puidgemont tha se aktivizimi i kapitullit 155 të Kushtetutës së Spanjës është jolegjitim dhe u ka bërë thirrje banorëve të Katalonjës të tregojnë “durim dhe këmbëngulje” dhe të kenë besim në të ardhmen.

Pasi parlamenti rajonal votoi për pavarësi, mijëra vetë në Barcelonë dolën në sheshin qendror për ta festuar pavarësinë, ndërsa shumë prej tyre kërkonin largimin e flamurit të Spanjës nga ndërtesa e qeverisë së Katalonjës.

Qindra protestues kundër pavarësisë, poashtu, kanë dalur në rrugë, duke i valvitur flamujt e Spanjës.

Departamenti amerikan i shtetit tha se Katalonja është pjesë përbërëse e Spanjës dhe se Uashingtoni i mbështet masat e qeverisë së Spanjës për ta mbajtur Spanjën unike.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, ka shkruar në rrjetin Twitter, pas deklaratës së pavarësisë, se për BE-në “nuk ndryshon asgjë”.

Ai, po ashtu, ka theksuar se BE-ja vazhdon të kontaktojë vetëm me Madridin dhe “shpreson se qeveria spanjolle e favorizon forcën e argumentit e jo argumentin e forcës”.

XS
SM
MD
LG