Ndërlidhjet

Maqedonia dhe Greqia fillojnë bisedimet për emrin pas tre vjetësh pauzë


Fotografi nga arkivi
Fotografi nga arkivi

Pas një pauze prej tre vjetësh, gjatë të hënës dhe martës në Bruksel përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic do të takojë përfaqësuesit nga Shkupi dhe Athina në përpjekje për të tejkaluar zgjidhjen e kontestit lidhur me çështjen e emrit që ka Maqedonia me Greqinë .

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se bisedimet riaktivizohen në një periudhë kur klima politike mes Maqedonisë dhe Greqisë dukshëm është përmirësuar pas takimeve kokë më kokë të zyrtarëve të dy vendeve fqinje.

Ky përmirësim i marrëdhënieve mes dy vendeve filloi pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaev si kryeministër i Maqedonisë.

Bekim Kadriu, ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Tetovës për Radion Evropa e Lirë thotë se në Bruksel pas një periudhe të gjatë të ndërprerjes së bisedimeve, pritet te shkrihet akulli “mes dy palëve dhe arrihet një kompromis për t`i dhënë fund kontestit më shumë se dy dekada mes dy vendeve”.

“Në këtë fazë, nuk pres diçka më konkrete. Natyrisht se brenda për brenda bisedimeve mund të ketë propozime konkrete, por për publikun do të jetë një takim i parë pas një kohe të gjatë i realizuar në një atmosferë shumë pozitive, ku ndërmjetësuesi i OKB-së më tepër do të synojë të marrë informata nga përfaqësuesit e të dy shteteve, sesa të ofrojë ndonjë propozim konkret. Nuk besoj se do kemi propozim konkret brenda këtyre ditëve, por mendoj se më shumë do të flitet për metodologjinë e vazhdimit të këtyre negociatave dhe formës sesi do të duhej të duket zgjidhja që pritet të ndodh në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm”, thotë Bekim Kadriu.

Nga ana tjetër, diplomati maqedonas Nano Ruzhin konsideron se Maqedonia dhe Greqia janë më afër se kurrë drejt gjetjes së një zgjidhje të kontestit dhe zhbllokimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkim Evropian.

“Në Bruksel palët gjithsesi se do të fokusohen në çështje konkrete. Dhe përfundimisht të vendoset për një kornizë kohore që do të përfshinte muajt deri në qershor dhe detyrimet që do të ndërmarrin palët si në planin afatshkurtër, atë afatmesëm dhe afatgjatë, ngase zgjidhja e kontestit edhe pse hyn në fazën përfundimtare, ky proces nuk është i lehtë“, thotë Ruzhin.

Edhe kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev është shprehur optimist duke theksuar se “tani gjasat janë shumë më të mëdha që Maqedonia dhe Greqia të zgjidhin kontestin për çështjen e emrit”.

Çështja e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë është duke zgjatur më shumë se dy dekada, përkatësisht që nga pavarësia e Maqedonisë si shtet në vitin 1991.

Greqia nuk e pranon emrin si Republika e Maqedonisë sepse konsideron se një emërtim i tillë paraqet tendencë për pretendime territoriale, pasi një rajon në Greqi ka po këtë emër.

Për këtë arsye, Greqia e ka bllokuar pranimin e Maqedonisë në NATO dhe i pengon negociatat për anëtarësim edhe në BE.

XS
SM
MD
LG