Ndërlidhjet

Identiteti maqedonas, sfida kryesore e kontestit me grekët


Identiteti i maqedonasve pritet të jetë një nga pikat më të nxehta në dialogun me Greqinë për zgjidhjen e çështjes së emrit. Pas deklaratës së shefit të diplomacisë greke, Nikos Kocijas se përveç debatit për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për emrin duhet të diskutohet edhe për identitetin, ka reaguar shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov duke thënë se hapja e kësaj çështjeje do ta bënte të pamundur zgjidhjen e kontestit me Greqinë.

Është shumë me rëndësi që çështjet që kanë të bëjnë me identitetin të tërhiqen nga procesi për emrin, pasi kjo asnjëherë nuk do të zgjidh problemin. Është me rëndësi që ta vazhdojmë me këtë proces të afrimit, mirëkuptimit për çështjet që janë të ndjeshme për ne si popull. Nuk është mirë as në aspektin historik, por edhe për Evropën që në vitin 2017 të kontestohet identiteti i një shteti fqinj, në veçanti kur kemi parasysh se bëhet fjalë për shtet fqinj që nuk është pjesë e BE-së”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov duke theksuar gatishmërinë e Qeverisë për një qasje sa më pozitive për kapërcimin e këtij procesi shumëvjeçar, që i hap rrugën integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Debati lidhur me çështjen e identitetit komentohet në forma të ndryshme nga njohësit e çështjeve ndërkombëtare. Ish-diplomati Alajdin Demiri thotë se krahas emrit duhet të mbyllet edhe debati për identitetin, pasi pa një qartësim të këtij problemi nuk mund të ketë zgjidhje të kontestit të emrit.

Çështja e identitetit është çështje e diskutueshme, është diskutueshme në kuptimin se çfarë është identiteti. Tendenca e maqedonasve është që identitet të llogarisin Maqedoninë Antike, atë që grekët asnjëherë nuk do ta lejojnë. Identiteti i maqedonasve duhet të jetë identiteti sllav, ai që është edhe real. Pra, edhe nëse negociohet për identitetin duhet të negociohet në këtë drejtim. Vlerësoj se nuk është fjala për zhbërjen e maqedonasve, apo për zhdukjen e identitetin, por kthimin e tyre në identiteti, pra dallimin mes maqedonasve antik dhe maqedonasve sllav, përkundrazi nëse kjo nuk ndodhë nuk besoj se mund të zgjidhet ky problem”, thotë Demiri.

Nga ana tjetër, Bekim Kadriu, profesor i së drejtës ndërkombëtare ndalet në sferat tjera po ashtu të rëndësishme sipas tij në procesin e integrimit të vendit. Maqedonia sipas tij ka nevojë që krahas angazhimit për zgjidhjen e çështjes së emrit, të punojë edhe në sfera tjera, siç janë sundimi i ligjit, depolitizimi i institucioneve, liria e mediave e pavarësia e gjyqësorit.

Pra, ne doemos duhet të bëjnë këtë reforma që i përmenda, pasi nuk mjafton vetëm se qëndrimi deklarativ dhe vullneti serioz se ne dëshirojmë të vazhdojmë me procesin e eurointegrimit, por domosdoshmërish duhet të punojmë në përmirësimin e problemeve të brendshme që i kemi, pra lidhur me sundimin e ligjit dhe depolitizimin e institucioneve. Puna e sinqertë, serioze dhe me devotshmëri mendoj se mund të prodhojë rezultat që përshpejtohet procesi i eurointegrimit”, thotë Kadriu.

Aktivitet më instensive mes dy palëve janë paralajmëruar nga fundi apo fillimi i vitit të ardhshëm. Ndërmjetësi i OKB-së, Mejtu Nimic nuk e ka përjashtuar mundësinë që nga pranvera të dalë edhe me ndonjë propozim konkret për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve që kanë bllokuar integrimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG