Ndërlidhjet

Zaev: Hetim ndërkombëtar për incidentin në Kumanovë


Zaev: Duhet ta dimë të vërtetën për incidentin në Kumanovë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:24 0:00

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili sot po qëndron për vizitë zyrtare në Prishtinë, ka deklaruar se qytetarët duhet ta dinë “të vërtetën e plotë” lidhur me incidentin e armatosur në Kumanovë, i cili kishte ndodhur në maj të vitit 2015. Deklaratën e tillë kryeministri Zaev e ka bërë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Kemi qëndrim të përbashkët se duhet të ketë një hetim ndërkombëtar ose të dërgohen përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët do t’i ballafaqojnë të gjitha elementet dhe do të japin përgjigje në pyetjet, të cilat i meritojnë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë. Ne, absolutisht e shohim këtë çështje si diçka që nuk guxon të jetë pengesë për përparimin e bashkëpunimit. Jemi të bindur që në interes të opinionit dhe për atë që paraqet nevojë të qytetarëve tanë, do të punojmë, në mënyrë që qytetarët ta dinë të vërtetën e plotë për këtë rast, për të cilin dihet se ka përfunduar tragjikisht në Maqedoni, ku janë vrarë policë”, ka thënë Zaev.

Rikujtojmë që në incidentin e armatosur në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, u vranë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur, në të cilin ishin të përfshirë edhe shqiptarë nga Kosova.

Kryeministri Zaev ka theksuar se të dyja vendet, Maqedonia dhe Kosova, do ta mbështesin njëra-tjetrën në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Lidhur me mbështetjen e Maqedonisë për anëtarësimin e Kosovës në Agjencisë për Kulturë, Shkencë dhe Arsim e Kombeve të Bashkuara (UNESCO), kryeministri Zaev ka theksuar se tash për tash kjo çështje është shtyrë. Por, ai pret që kjo çështje të zgjidhet paralelisht me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përmirësimin e të cilave po mbahet dialogu në Bruksel, proces të cilin, siç ka thënë ai, e mbështetë edhe Maqedonia.

“Kosovës i nevojitet mbështetja e Maqedonisë në të gjitha këto procese. Por, njëkohësisht, ju e dini që edhe Republika e Serbisë është fqinje e jona. Kështu që, në kuadër të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet, shpresojmë që zgjidhja e çështjeve do të bëhet në mënyrë bilaterale. Ne do të jemi këtu vetëm të ndihmojmë procesin ndërmjet dy vendeve”, tha Zaev.

Zaev ka shtuar se në takimin me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë biseduar për projektet e përbashkëta, për avancimin e komunikimit ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Maqedonisë. Siç ka theksuar Zaev, dy vendet kanë të nënshkruara 19 marrëveshje bilaterale dhe 16 dokumente të tjera, si dhe pritet të nënshkruan edhe 21 marrëveshje të tjera, me interes për qytetarët e të dyja vendeve.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e vlerësuar të rëndësishme vizitën e kryeministrit të Maqedonisë, duke theksuar se Kosovën dhe Maqedoninë i lidhë orientimi euroatlantik i të dyja vendeve.

“Në këtë vizitë të sotme kemi mundur të ndihmojmë që marrëdhëniet tona, pra, ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë të përparojnë. Ato janë të mira, por të përparojnë. Sot kemi marrë plot obligime që besoj se do të kemi rastin t’i finalizojmë në të ardhmen edhe në takime të përbashkëta të dy qeverive, pra, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, në interes të qytetarëve të dy vendeve tona”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Maqedonisë, Zaev është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në një komunikatë për media të Kuvendit të Kosovës thuhet se Veseli dhe Zaev “diskutuan për raportet që Prishtina dhe Shkupi zyrtar kanë ndërtuar midis tyre në të gjitha nivelet e bashkëpunimit institucional dhe njëherësh kanë vlerësuar se ky bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, i shërben paqes, sigurisë dhe demokratizimit të rajonit”.

Vizita e Zaevit në Kosovë
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:36 0:00

Gjithashtu, kryeministri Zaev është takuar edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti Thaçi, ka thënë se ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë nuk ka asnjë çështje të hapur.

“Çështjen e Demarkacionit e kemi përmbyllur me sukses në kohën e duhur dhe tash është momenti që të hapet edhe një kapitull i ri i bashkëpunimit në të gjitha sferat institucionale në mes dy vendeve tona. Të dy vendet tona janë të mishëruara me vlerat euroatlantike, për anëtarësim në NATO dhe në Bashkim Evropian dhe unë kam besim se në këtë drejtim, do t’ia lehtësojmë njëra-tjetrës rrugëtimin tonë. Kosova respekton integritetin territorial të Maqedonisë dhe mbështetë fuqishëm zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Vizita e kryeministrit Zaev në Prishtinë, shënon vizitën e parë të një kryeministri të Maqedonisë në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG