Ndërlidhjet

Kremlini: CIA ndihmoi në pengimin e sulmit terrorist në St. Petersburg


Presidenti amerikan, Donald Trump (djathtas) dhe presidenti rus, Vladimir Putin (majtas), gjatë një takimi në Gjermani, foto nga arkivi

Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë kanë thënë se shërbimet e Inteligjencës amerikane i kanë ndihmuar Rusisë për të penguar planet e një serie sulmesh në St. Petersburg.

Gjatë një deklarimi publik të pazakonshëm rreth bashkëpunimit kundërterrorizmit, Kremlini ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin e ka falënderuar presidentin amerikan, Donald Trump gjatë një bisede telefonike, për dhënien e informacioneve nga CIA, rreth sulmeve të supozuara.

Kjo bisedë, e cila sipas Shtëpisë së Bardhë është inicuar nga Putin është e dyta në mes të dy liderëve brenda katër ditësh.

Të dy liderët kanë diskutuar vetëm dy ditë pasi autoritetet ruse kanë arrestuar shtatë persona të dyshuar si ekstremistë islamikë, të cilët janë akuzuar për planfikimin të sulmit me bombë, në qytetin e dytë më të madh në Rusi.

Kremlini ka thënë përmes një deklarate se informacioni i dhënë nga CIA u ka ndihmuar atyre që të “arrestojnë terroristët” dhe se Putin e ka “siguruar” Trumpin se shërbimet e sigurisë ruse do t’iu përcjellin homologëve të tyre amerikanë, çdo informacion rreth kërcënimeve terroriste për SHBA-në apo për qytetarët e saj.

Kremlini ka shtuar se Putin i ka kërkuar Trumpit t’i përcjellë falënderimet e tij drejtorit të CIA-së, Mike Pompeo, derisa Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti amerikan tashmë e ka bërë një gjë të tillë.

“Nuk është humbur jeta e asnjë rusi dhe sulmuesit terroristë janë kapur”, është thënë në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

“Presidenti Trump e ka vlerësuar thirrjen dhe i ka thënë presidentit Putin se ai dhe i gjithë komuniteti i Inteligjencës amerikane janë të nderuar që kanë ndihmuar në shpëtimin e shumë jetëve”.

Trump e ka përsëritur disa herë se ai dëshiron të rregullojë marrëdhëniet me Moskën dhe se përpjekjet kundërterrorizmit në Siri dhe çdo vend tjetër mund të shërbejnë si nismë për marrëdhënie më të mira mes dy vendeve.

Mirëpo kontaktet në mes të Moskës dhe Uashingtonit vazhdojnë të mbesin në tension pas ndikimit rus në Ukrainë, akuzave të përbashkëta për shkelje të marrëveshjes për kontrollin e armëve, dhe në atë që Inteligjenca amerikane thotë se ka pasur ndërhyrje ruse në fushatën presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

XS
SM
MD
LG