Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

SHBA: Departamenti i shtetit i shqetësuar për përpjekjen lidhur me gjykatën në Kosovë


“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga përpjekjet aktuale në Kuvendin e Kosovës për shfuqizimin e legjislacionit për Dhomat e Specializuara, gjykatë që është krijuar për dëgjimin e rasteve të dyshuara të krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera serioze, të kryera gjatë konfliktit 1998-2000”, theksohet në kumtesën e Departamentit amerikan të shtetit.

Mëtutje, në kumtesën dërguar sot mediave, thuhet se “u bëjmë thirrje liderëve politikë në Republikën e Kosovës që ta mbajnë përkushtmimin e tyre për punën e Dhomave dhe për t’i lënë të pandryshuara autoritetet dhe jurisdiksionin e gjykatës”.

“Siç ka thënë sekretari Tillerson, më 21 dhjetor, kërkimi i drejtësisë në Ballkan nuk ka përfunduar dhe ne mbesim të përkushtuar për mbështetjen e drejtësisë për viktimat”, theksohet në kumtesë dhe shtohet se “ne e përshëndesim guximin moral të liderëve politikë të Kosovës, të cilët e kanë miratuar legjislacionin dhe amandamentin kushtetues në vitin 2015, me të cilin u mundësua formimi i kësaj gjykate”.

“Ne fuqishëm kërkojmë nga liderët aktualë politikë të Kosovës dhe antarët e Kuvendit që të mos e zhbëjnë këtë të arritur duke ndërhyrë në gjykatë tash ose në të ardhmen”, përfundon kumtesa e Departametit të shtetit të Shteteve të Bashkuara, e nënshkruar nga zëdhënësja, Heather Nauert.

XS
SM
MD
LG