Ndërlidhjet

SHBA: Shpallen “aksione specifike” kundër Pakistanit

  • RFE /RL

Pamje e Shtëpisë së Bardhë në Uashington

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar mbrëmë se dëshiron që Pakistani të angazhohet më tepër në luftën kundër terrorizmit dhe se Uashingtoni, me gjasë, do të shpallë “aksione specifike” brenda dy ditësh për t’i bërë presion Islamabadit.

“Qëllimi ynë është ai se ne e dimë se ata mund të bëjnë më tepër për ta ndalur terrorizmin dhe ne dëshirojmë që ata të bëjnë këtë”, u ka thënë gazetarëve, Sarah Sanders, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Para kësaj, Pakistani i ka kritikuar Shtetet e Bashkuara lidhur me një postim në Twitter të presidentit amerikan, Donald Trump, në të cilin ai kërcënohet me shkurtimin e ndihmës prej miliarda dollarëve për Pakstanin.

Trump, po ashtu, e ka akuzuar Islamabadin për “gënjeshtra dhe mashtrim” dhe se u ka mundësuar terroristëve strehim të sigurt.

Komiteti i Sigurisë Kombëtare i Pakistanit, organ që merret me çështjet e mbrojtjes, ka thënë se Pakistani “nuk mund të mbahet përgjegjës për dështimin kolektiv në Afganistan”.

Mëtutje, në këtë deklaratë theksohet se “fajësimi i aleatëve me të vërtetë nuk u shërben qëllimeve të përbashkëta për arritjen e paqes së qëndrueshme në Afganistan dhe rajon”.

Njëherësh, në deklaratën e kryeministrit të Pakistanit, Shahiq Khaqan Abbasi, theksohet se Islamabadi do të mbetet i përkushtuar për të luajtur rol konstruktiv ndaj procesit të paqes që udhëhiqet nga afganët, përkundër “akuzave të paarsyeshme”.

Mëtutje në këtë deklaratë theksohet se sfida reale në Afganistan janë luftimi i brendshëm politik, korrupsioni masiv, rritja fenomenale e prodhimitt të drogës dhe zgjerimi i hapësirave të paqeverisura brenda Afganistanit, që janë me plotë strehime për organizatat terroriste ndërkombëtare, që paraqesin kërcënim direkt për Afganistanin, fqinjët e tij dhe gjithë rajonin.

Pas një postimi të parë në vitin 2018, të presidentit amerikan, Donald Trump, Pakistani e ka ftuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, David Hale.

Zyrtarët pakistanezë publikisht e kanë akuzuar Uashingtonin për “mosbesim”.

Por, ambasadorja amerikane në Kombeet e Bashkuara, Nikki Haley, u tha gazetarëve në Nju Jork se “ka arsye të pastërta” për administratën Trump, që ta ndalë ndihmën pre 255 milionë dollarëve për Pakstanin.

Mëtutje ajo ka theksuar:

“Pakstani ka luajtur lojë të dyfishtë për vite. Ndonjëherë ata punojnë me ne dhe ata, po ashtu, i strehojnë teerroristët, që i sulmojnë trupat tona në Afganistan. Kjo lojë nuk është e pranushme për këtë administratë”, tha Nikki Haley.

Në shkrimin e presidentit Trump në rrjetin Twitter theksohet se Shtetet e Bashkuara në mënyrë “budallallëqe” i kanë dhënë Pakistanit më tepër se 33 miliardë dollarë ndihmë, gjatë 15 viteve të fundit dhe se “ata nuk na kanë dhënë neve asgjë por gënjeshtra dhe mashtrim, duke menduar për liderët tanë se janë budallenj”.

Pas gjithë kësaj, Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se do të vazhdojë ta ndalë ndihmën ushtarake prej 255 milionë dollarëve për Pakistanin, për shkak të frustrimit lidhur me mosgatishmërinë pakistaneze për tu konfrontuar me rrjetet terroriste.

Ministri i mbrojtjes i Pakistanit, Khurram Dastgir Khan, në rrjetin Twitter, u është përgjigjur akuzave të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke thënë se Pakistani, “si aleat antiterror u ka dhënë SHBA-ve, tokë dhe komunikim ajror, baza ushtarake dhe bashkëpunim në inteligjencë, që e kanë shkatërruar al-Kaidën gjatë 16 viteve të fundit, por Shtetet e Bashkuara nuk na kanë dhënë asgjë pos fyerjeve dhe mosbesimit”.

Nga ana tjetër, ministri i jashtëm pakistanez, Khawaja Mohammad Asif, i tha rrjetit televiziv, Geo Television, se “Shtetet e Bashkuara duhet t’i mbajnë përgjegjës njerëzit e vet për dështimet në Afganistan”.

“Amerika është e frustruar për shkak të disfatës në Afganistan”, tha Asif dhe ka shtuar se “Amerika duhet ta marrë rrugën e dialogut në vend të përdorimit të forcës ushtarake në Afganistan”.

Ambasadori i Afganistanit në Shtetet e Bashkuara, Hamdullah Mohib, i ka përshëndetur komentet e presidentit Trump për Pakistanin.

“Pakistani merr fonde nga Shtetet e Bashkuara për t’i luftuar terroristët, por nuk i ka shkatërruar strehimet e terroristëve, prej nga ata vazhdimisht kryejnë sulme në Afganistan”, tha ambasadori Mohib.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG