Ndërlidhjet

Edhe Irani kundështon planin amerikan për forcën kufitare në Siri


Nga e djathta, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai iranian, Hassan Rohani, foto nga arkivi

Presidenti iranian, Hassan Rohani, i është bashkuar Rusisë, Sirisë dhe Turqisë për ta kundërshtuar një forcë kufitare prej 30,000 personash brenda Sirisë, pasi Shtetet e Bashkuara kanë thënë se është e nevojshme për të mbajtur jashtë ekstremistët e grupit militant, Shteti Islamik.

“Plani i ri të cilin e kanë në mendje amerikanët në Siri, është shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe komplot kundër sovranitetit dhe sigurisë në rajonin e Sirisë”, është cituar të ketë thënë Rohani për një media shtetërore iraniane, pas një takimi me kryeparlamentarin e Sirisë në Teheran.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që ka luftuar grupin militant, Shteti Islamik, ka thënë më 14 janar, se pjesëtarët e kësaj force do të jenë luftëtarët kurdë të udhëhequr nga Forcat Demokratike të Sirisë, të cilët do të vepronin rreth kufijëve me Turqinë dhe Irakun, për të mos lejuar kthimin e militantëve të IS-it.

Ky plan është përballur me kundërshtim të ashpër nga Turqia, Rusia dhe Siria, pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se është duke përgatitur një operacion ushtarak për të eliminuar forcën e udhëhequr nga kurdët.

Erdogan i konsideron anëtarët e milicisë kurdë të Sirisë, YPG, si pjesëtarë të organizatës terroriste, të lidhur me separatistët e armatosur kurdë, që kanë luftuar me dekada qeverinë në Turqi.

Presidenti sirian, Bashar a-Assad, po ashtu ka premtuar shkatërrimin e forcave të reja kufitare, derisa Rusia e ka akuzuar SHBA-në, se po tenton të bëjë ndarje në territorin sirian.

Irani ka qenë aleti kryesor i Sirisë, në luftën civile gati shtatë vjeçare të këtij vendi.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Bahram Qasemi, ka thënë se planet e SHBA-së, “nxisnin flakët e luftës” dhe do të rrisin tensionet.

Ai u ka bërë thirrje të gjitha forcave amerikane të largohen menjëherë nga Siria.

Shtetet e Bashkuara udhëheqin një koalicion ndërkombëtar, i cili ka ofruar mbështetje ajrore dhe forca speciale, për të larguar IS-in nga zonat në veri dhe lindje të Sirisë.

XS
SM
MD
LG