Ndërlidhjet

SHBA: Mbyllje e qeverisë pas dështimit për arritje të marrëveshjes


Pamje e pjesës veriore të Shtëpisë së Bardhë në Uashington
Pamje e pjesës veriore të Shtëpisë së Bardhë në Uashington

Mbyllja e qeverisë së Shteteve të Bashuara ka hyrë në fuqi pas mesnatës nga e premtja në të shtunën, meqë Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi dështuan të arrjnë marrëveshje për legjislacionin e financimit për ta mbajtur qeverinë funksionale.

Dhoma Përfaqësuese e Kongresit e kishte miratuar legjislacionin për zgjatjen e financimit deri më 16 shkurt, por Senati dështoi të votojë për këtë masë para mesnatës së mbrëmshme.

Demokratët e Senatit e bllokuan votimin e masës së përkohshme të financimit, në përpjekje për t’i detyruar republikanët që të zhvillojnë negociata për marrëveshje për mbrojtjen e afro 700 mijë migrantëve nga dëbimi, të cilët kanë arritur në Shtetet e Bashkara si fëmijë dhe kanë qëndruar ilegalisht.

Por, Shtëpia e Bardhë, pasi filloi mbyllja e qeverisë, tha se nuk do të bëjë negociata me demokratët për imigrim, derisa ata të pajtohen për zhbllokimin e qeverisë.

“Ne nuk do të zhvillojmë negociata për statusin e imigrantëve të paligjshëm, derisa demokratët i mbajnë shtetasit tanë të ligjshëm peng të kërkesave të tyre të pamatura”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Kjo është mbyllja e katërt e qeverisë së Shteteve të Bashkuara në 25 vitet e fundit. Me këtë mbyllje bllokohen pjesërisht disa operacione qeveritare.

Shërbimet e rëndësishme, përfshirë inspektimin e ushqimit, kontrollet e sigurisë në aeroporte dhe zbatimi federal i ligjit, do të vazhdojnë.

Megjithatë, punonjësit federalë nuk do të paguhen.

XS
SM
MD
LG