Ndërlidhjet

Borë, kryetarë shtetesh, artistë - të gjithë në Davos të Zvicrës


Davos, Zvicër

Miliarderë, kryetarë shtetesh dhe udhëheqës korporatash mblidhen këtë javë në Davos të Zvicrës, për Forumin Ekonomik Botëror.

Mbi 60 kryetarë të shteteve dhe qeverive, përfshrië presidentin amerikan, Donald Trump, pastaj qindra liderë të bizneseve, akademikë, artistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile do të takohen për katër ditë, nisur nga sot, nën moton “Krijimi i një të ardhmeje të përbashkët në një botë të çarë”.

Me ekonominë globale në rritje, me mesataren industriale të indeksit Dow Jones mbi 26,000 pikë për herë të parë dhe me optimizmin se rishikimi i sistemit të taksave në SHBA do të rrisë të ardhurat e korporatave, pritjet e pjesëmarrësve në samit duken të larta.

Por, bora e madhe në Alpe e ka bërë udhëtimin të vështirë në shumë rajone dhe Zvicra ka lëshuar alarmin e ortekëve më 22 janar.

“Jam i lumtur për borën, sepse i jep Davosit atë që duhet të ketë – aspektin e një fshati global, një fshati ku natyra luan ende rol të rëndësishëm”, tha kryetari i forumit, Klaus Schwab, në një intervistë për agjencinë Reuters.

Brenda sallave të forumit do të mbahen rreth 400 debate dhe panele me tema si: rritja ekonomike, mjedisi, terrorizmi, inteligjenca artificiale, parashikimet për Afrikën dhe mënyrat se si refugjatët mund të kontribuojnë në vendet mikpritëse.

Një dekadë pasi falimentimi i bankës amerikane të investimeve Lehman Brothers ka ndihmuar në nxitjen e krizës globale financiare, duke zhytur ekonomi të shumta në recesion, Trump pritet të dominojë shumë biseda edhe para fjalimit të tij në ditën e fundit.

Protesta të vogla tashmë janë mbajtur, ndërsa autoritetet kanë refuzuar kërkesën e grupeve majtiste për të protestuar në Davos më 25 janar, duke thënë se nuk ka hapësirë të mjaftueshme për shkak të reshjeve të borës.

Megjithatë, një peticion anti-Trump, i cili i bën thirrje presidentit amerikan të qëndrojë larg, ka mbledhur mbi 16,000 mbështetës online.

Ndalimi i protestës është “një mënyrë e fshehjes pas fuqisë së elitave globale”, tha Tamara Funiciello, udhëheqëse e Socialistëve të Rinj të Zvicrës, duke shtuar se autoritetet “kanë nevojë për shtylla më të forta”.

Policia zvicerane ka shpërndarë mbi 4,300 oficerë në rajon për të ofruar siguri.

Këngëtari Elton John dhe aktorja Cate Blanchett janë vetëm dy nga dhjetëra celebritët që pritet të marrin pjesë në forum, me qëllim rritjen e vetëdijes për çështjet sociale.

Forumi këtë vit do të përfshijë edhe disa sesione për ngacmimet seksuale, sidomos në industrinë e filmit.

I përballur me akuzat për seksizëm, Forumi Ekonomik Botëror ka emëruar këtë vit shtatë bashkëkryesuese gra, përfshirë Christine Lagarde, shefe e Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe Ginni Rometty, shefe ekzekutive e IBM-së.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG