Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Trump paralajmëron Erdoganin: Shmang konfliktin midis forcave turke dhe amerikane

  • RFE /RL

Afrin, Siri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se do të vazhdojë operacionin ndërkufitar kundër kurdëve në enklavën Afrin në veri të Sirisë, duke rritur shqetësimet në mesin e shumë aleatëve të NATO-s.

Ai i bëri këto komente pas bisedës telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili i bëri thirrje liderit turk “të shmangë çdo veprim që mund të çojë në konflikt midis forcave turke dhe amerikane”.

Trump po ashtu tha se dhuna e vazhdueshme në Afrin “dëmton synimet e përbashkëta në Siri” për mposhtjen e grupit militant Shteti Islamik, njoftoi përmes një deklarate zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, tha se operacioni, i cili përfshin trupat turke dhe rebelët aleatë sirianë, të mbështetur me avionë luftarakë, artileri dhe tanke, synon krijimin e një zone të sigurisë rreth 30 kilometra brenda Sirisë.

Turqia e konsideron milicinë kurde në Afrin si grup terrorist dhe si degë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila kërkon autonomi për kurdët brenda Turqisë.

Milicia kurde në Siri e mohon çdo lidhje të tillë. Kjo milici, e cila kontrollon territore të mëdha në verilindje të Sirisë, ka qenë aleat kryesor i SHBA-së në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik atje.

Një vajzë kurde që jeton në Qipro ka të shkruar në fytyrë “Afrin” dhe qëndron pranë një posteri të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një proteste kundër operacionit turk në Afrin të Sirisë.
Një vajzë kurde që jeton në Qipro ka të shkruar në fytyrë “Afrin” dhe qëndron pranë një posteri të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një proteste kundër operacionit turk në Afrin të Sirisë.

Operacioni në Afrin ka nisur më 20 janar dhe është përqendruar në një zonë të udhëhequr nga kurdët pranë kufirit me Turqinë.

Erdogan tha se forcat turke do të zgjerojnë operacionin në qytetin Manbixh, kontrollin e të cilit forcat kurde e kanë marrë nga Shteti Islamik, me mbështetje të SHBA-së.

Një zyrtar kurd tha për agjencinë gjermane DPA se ushtarët amerikanë ndodhen ende në Manbixh, çfarë rrit mundësinë e përplasjeve të paqëllimshme midis forcave aleate të NATO-s.

“Me Manbixhin do ta shkatërrojmë këtë lojë përgjatë kufijve tanë dhe do ta pastrojmë rajonin nga kjo e keqe”, tha Erdogan, duke u zotuar se “do t’i shfarosë terroristët”.

Qeveria e Sirisë e dënoi, siç tha, “agresionin turk në Afrin”.

Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin, tha se Moska “po e vëzhgon me kujdes operacionin në Afrin” dhe se është në kontakt edhe me Qeverinë turke, edhe me atë siriane.

Rusia i ka dhënë Qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad, mbështetje të madhe gjatë luftës civile në Siri, e cila ka nisur në vitin 2011, duke lënë të vrarë qindra-mijëra njerëz.

NATO tha përmes një deklarate se Turqia ka vuajtur nga terrorizmi dhe se ka të drejtë për vetëmbrojtje, por i bëri thirrje Ankarasë ta bëjë një gjë të tillë “në mënyrë proporcionale dhe të matur”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG