Ndërlidhjet

Fried: Legjislacioni synon ndjekjen e strukturave të fuqisë së Putinit


Daniel Fried

Departameti i thesarit i Shteteve të Bashkuara në bashkëpunim me agjencitë e inteligjencës pritet që Kongresit t’i dërgoj një listë të rusëve të njohur dhe të anëtarëve të familjeve të tyre, të cilët potencialisht mund të ballafaqohen me kufizime direkte.

I njohur si Seksioni 241, në këtë dokument përfshihet identifikimi i oligarkëve sipas “afrisë së tyre me regjimin rus”.

Në këtë temë, Shërbimi në Ukrainë i Radios Evropa e Lirë ka biseduar Daniel Fried, ish-koordinator i sanksioneve në Departamentin amerikan të Shtetit, gjatë presidencës së Barack Obamës.

Radio Evropa e Lirë: A është e vërtetë se biznesmenët rusë kanë bërë çdo gjë të mundshme që emri i tyre të mos paraqitet në listën e sanksioneve të reja?

Daniel Fried: Ju keni sigurisht të drejtë se shumë rusë të pasur i kanë përdorë lobistët dhe përfaqësuesit në Uashington për të zbuluar më tepër lidhur me atë se çka po bënë administrata dhe përpiqen për të pasur shpjegim. Jam i sigurt se ata janë të interesuar që të mos jenë në atë listë. Mendoj se administrata e kupton se legjislacioni nuk ka për qëllim thjeshtë t’i ndjek rusët e pasur. Ai synon t’i ndjek strukturat e fuqisë së Putinit. Qarqet e tij të ndikimit. Njerëzit që janë agjentë e tij, i bartin parat e tij, kanë pozicione të vjetra tek ai. Jo thjesht rusët e pasur dhe jo bile edhe rusët e pasur që shkojnë së bashku me qeverinë. Por, realisht, strukturat e Putinit. Ne do të shohim se si ka vepruar administrata, nëse ne do t’i shohim emrat në raport.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë pasojat për ata që janë në listë? A do të thotë se personat e përmendur në këtë dokument do të jenë “toksik” për perëndimin?

Daniel Fried: Dëgjoni...jo toksik. Por nën mjegull, sigurisht. Lista nuk ka pasoja juridike. Por duket sikur listë e sanksioneve të ardhshme potenciale. Kjo do të thotë se bizneset dhe bankat mund të fillojnë t’i mbajnë në distancë njerëzit të cilët janë në listë. Është shumë e qartë se herët a vonë, nëse Rusia vazhdon me aktivitetet e saj agresive... për shembull siç mendoj unë, nëse Rusia përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuaa këtë nëntor, atëherë Kongresi dhe administrata do t’i lëvizin këta emra nga regjistri në listën aktuale të sanksioneve. Mendoj se kjo është kuptuar gjërësisht. Prandaj, pa dyshim se njerëzit nuk duan të jenë në listë.

Radio Evropa e Lirë: Është diskutuar gjërësisht se emrat e anëtarëve të familjeve mund të jenë në këtë listë së bashku me zyrtarët rusë dhe oligarkët. A e mbështesni një vendim të tillë?

Daniel Fried: Kuptohet, ju nuk dëshironi t’i ndëshkoni anëtarët e familjes për atë se janë anëtarë të familjes. Kjo do ta dëmtonte çështjen dhe është e gabueshme. Por, njerëzit janë përgjegjës për aksionet e tyre dhe nëse fëmija i biznesmenit të korruptuar merr pozicion madhor vetëm nga fakti se babai i tij ose i saj është biznesmen i korruptuar, kjo mund të bëjë që personi të gjendet në listë.

Radio Evropa e Lirë: Tash pyetja kryesore – a do të jetë i ndier ky hap për Kremlinin?

Daniel Fried: Mendoj se regjimi i Putinit ka treguar ndieshmëri të madhe kur hetuesit i ndjekin rrjedhjet e parave. Letrat e Panamasë duket se e kanë goditur nervin e Kremlinit për këtë shkak. Mendoj se ekzistojnë arsyet që elita ruse rreth Kremlinit është nervoze për faktin se mund të zbulohet. Ka dëshmi dhe është shkruar për këtë gjë në mënyrë të hapur se ata po i vjedhin qindra miliona e bile miliarda rubla nga populli rus. Dhe i dërgojnë ato jashtë. Mendoj se ky zbulim ishte i turpshëm për ta. Opozita në Rusi është nën presion ekstrem. Por, njëri prej argumenteve më të fuqishme që ajo e ka kur përpiqet tu afrohet njerëzve, është bisedimi për korrupsion të regjimit.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG