Ndërlidhjet

Rusia: OKB nuk ka pse të marrë hapa kundër Iranit


Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia
Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia

Rusia nuk beson se Kombet e Bashkuara kanë arsye për të marrë ndonjë hap kundër Iranit, ka deklaruar ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, pasi ka arritur në Uashington meqë SHBA ka thënë, se ka copëza të armëve, për të cilat pretendohet se Teherani u ka dhënë rebelëve huthi në Jemen, transmeton Reuters.

Adiministrata e Trumpit ka muaj të tërë që kërkon ta mbajë përgjegjës Iranin në Kombet e Bashkuara, ndërkohë që kërcënon me largimin nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 nëse nuk rregullohen “të metat e tmerrshme” të saj.

“Ne kemi dëgjuar vetëm disa bisedime të paqarta për marrjen e ndonjë hapi”, ka thënë ambasadori rus, Nebenzia, gjatë ditës së sotme.

I pyetur nëse ka ndonjë rast kundër Iranit në OKB, Nebenzia është përgjigjur negativisht.

Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley i ka dërguar 14 kolegët e saj të Këshillit të Sigurimit në një hapësirë ushtarake afër Uashingtonit, për të parë copëza të asaj që Pentagoni i cilëson si pjesë të raketave balistike të prodhuara nga Irani dhe të cilat janë nisur nga Jemeni drejt kryeqytetit të Arabisë Saudite, Riad.

Ekspertë të pavarur të OKB-së kanë raportuar para Këshillit të Sigurimit muajin e kaluar, se Irani ka shkelur sanksionet e kësaj organizate sepse ka dështuar të marrë masa për të parandaluar furnizimin e rebelëve huthi në mënyrë direkte apo indirekte me raketa balistike.

Haley ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke konsideruar disa opsione në kuadër të OKB-së për të marrë masa kundër Iranit, duke përfshirë ashpërsimin e kufizimeve për raketa balistike për Teheranin, apo vënien e sanksioneve për individë iranianë.

XS
SM
MD
LG