Ndërlidhjet

Kuvendi me rezolutë kundër ndotjes së ajrit


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës me 73 vota për ka miratuar një rezolutë për gjendjen alarmante të ndotjes së ajrit në Prishtinë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, përmes kësaj rezolute kanë kërkuar që mbrojtja e ambientit të shndërrohet në prioritet shtetëror të Qeverisë së Kosovës.

Me këtë rezolutë, deputetët kanë kërkuar vendosjen e elektrofiltrave të cilësisë së duhur në termocentralet e KEK-ut deri në fund të viti 2018.

“Të bëhet kontroll i cilësisë së karburanteve dhe gazit sipas ligjeve në fuqi deri në fund të gjashtë mujorit të parë të vitit 2018. Të ndahet buxhet për izolimin e ndërtesave publike, me prioritet objektet shëndetësore dhe arsimore”.

“Qeveria obligohet të shikojë mundësinë të ndajë buxhet shtesë që t’i shtohen mjeteve të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit të SHBA-së në vlerë prej 22 milionë dollarë, me qëllim që të ndihmojë projektet e ndërlidhura me efiçiencë. Të shtohen investimet kapitale për ngrohtoren Termokos, për dyfishim të kapaciteteve të koogjenerimit.”, thuhet në tekstin e rezolutës së miratuar.

Kuvendi i Kosovë po ashtu ka kërkuar nga komunat t’i shikojnë me urgjencë politikat e subvencionimit të ekonomive familjare, si dhe të merret vendim për ndalim të thëngjillit për objekteve kolektive.

Gjatë kësaj jave, të dhënat që ka ofruar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës kanë treguar se vlerat e PM 2.5 janë disa herë jashtë normales.

Ekspertë të çështjeve të mjedisit konsiderojnë se të dhënat e matjes së cilësisë së ajrit tregojnë për një gjendje alarmante dhe se masat në përmirësimin e kësaj gjendje duhet të jenë urgjente.

Drejtori i Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC) Abedin Azizi, thotë për Radion Evropa e Lirë se shkaktarët e ndotjes së ajrit siç janë: termocentralet Kosova A dhe B, sektori i transportit ai i ngrohjes tek amvisëritë që përdorin thëngjillin dhe drurin, duhet të targetohen.

“Institucionet janë duke bërë përpjekje që të zbusin nivelin e ndotjes, por me masa urgjente të shpejta për probleme kaq të mëdha nuk janë gjithmonë zgjidhje. Kosova ka nevojë të hartojë një plan me masa afatmesme dhe afatgjate që të targetonin këta tre kontribuues të mëdhenj të ndotjes së ajrit. Ne jemi dëshmitarë që vendimi për një termocentral të ri ka ngecur për 10 vite. Sikur të kishim të ndërtuar këtë termocentral, ky problem nuk do të ishte sot”, thotë Azizi.

Një shkaktarë tjetër për këtë gjendje të krijuar lidhur me ndotjen e ajrit, thotë Azizi, është një vendim i qeverive të kaluar ku ishte hequr kufizimi për importin e automjeteve.

Sipas tij, kjo ka bërë që Kosova ka importuar automjetet që shkaktojnë ndotje enorme të ajrit.

“Termocentralet aktuale duhet të riparohen urgjentisht, në veçanti të instalohen elektrofiltrat, pastaj duhet të hartohen plane të mobilitetit në zonat urbane. Masa tjetër që do të duhej të ishte është efiçenca e energjisë në amvisëri. Por, mbi të gjitha ne secili individualisht duhet të ndërrojmë mënyrën se si jemi sjellë ndaj mjedisit. Secili duhet të jap kontributin e vet, të shfrytëzojë sa më pak makinat dhe brenda ambientit të vet të aplikojë masa për ulje të konsumit të energjisë”, thotë Azizi

Deputetët në seancën e sotme kanë kritikuar qeverisjet e deritanishme në Kosovë të cilat nuk janë marrë me parandalimin e gjendjes të cilësisë së ajrit, por sipas tyre, janë marrë vetëm atëherë kur gjendja është bërë alarmante.

Ata kanë kërkuar që të identifikohen burimet e ndotjes së ajrit në Kosovë, duke u sugjeruar institucioneve kompetente të bëjnë një hulumtim shkencor dhe të dihet saktë përqindja e ndotjes që vjen nga termocentralet, thëngjilli si dhe veturat e shumta që janë rreth 380 mijë.

Protestë në Prishtinë - qytetarët kërkojnë ajër
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:40 0:00

Filtrat në termocentralin Kosova B në Obiliq, të cilët është thënë se nuk janë ndërruar që nga viti 1985, janë theksuar nga deputetët si të domosdoshëm të ndërrohen.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Luka ka sqaruar se ndërrimi i elektrofiltrave në termocentralin Kosova B mund të ndërrohen vetëm brenda dy viteve, jo më herët.

“Komisioni Evropian ka përgatitur të gjitha dokumentet dhe në maj do të shpallë tenderin dhe deri në fund të vitit presin të kemi fituesin. Pastaj për të instaluar elektro filtrat kërkohet kohë deri në nëntë muaj. Ndërrimi i elektrofiltrave kërkon të ndërpritet funksionimi i termocentrali Kosova B. Për këtë gjë për të zvogëluar shpenzimet preferohet të bëhet ndaras në dy sezona verore, ku kostoja e importit të shpenzimit është minimal”, thotë Lluka.

Gjatë diskutimeve, deputetët kanë konsideruar se gjendja aktuale e cilësisë së ajrit është mjaft shqetësuese jo vetëm në Prishtinë, por edhe në regjione të tjera të Kosovës.

Deputetja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetare e partisë Alternativa, Mimoza Kusari - Lila ka theksuar se organet kompetente që duhet të merren me parandalimin e ndotjes së ajrit, jo rrallë janë pjesë përbërëse e shkaktimit të problemeve.

“Parlamenti ndotet në hapësirat e përbashkëta çdo ditë nga pirja e jashtëligjshme e duhanit. Neve na ka humbur kredibilteti të flasim për ajrin e pastër, derisa rrimë në një hapësirë të kontaminuar, ku edhe në zyret në Kuvendin e Kosovë, jo rrallë herë thyhet Ligji i duhanit”.

“Sot në ekzekutiv pa pasur nevojë të kemi seancë të jashtëzakonshme janë një mori masash që mund të ndërmerren drejtpërdrejt dhe të bëjnë parandalimin dhe të fillojë pastrimi dhe mbajtja në rregull e ajrit. Prishtina renditet si njëra nga vendet më të ndotura edhe pse është larg prej të qenit vend industrial”, ka thënë Kusari - Lila.

Deputeti, Fatmir Xhelili nga Partia Demokratike e Kosovës thotë se kjo seancë duhet të jetë sensibilizim dhe të ndikojë që çdo punëtorë, zyrtarë dhe anëtarë të mekanizmave përgjegjës për zbatimin e mekanizmave të mbrojtjes së ambientit.

“Shteti nuk duhet të kursej mjete financiare për të marrë masa adekuate për përmirësim të ajrit të ndotur. Nuk duhet të kursejmë 50 milionë euro për të marrë pjesë në projektin e Komisionit Evropian për ndërrimin e filtrave të KEK-ut, ka thënë Xhelili, duke shtuar, se me këto mjete do të shmangen pasojat shëndetësore të qytetarëve.

Masat kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë u kishte bërë thirrje qytetarëve që të reduktojnë daljet në qytet dhe në vendet me ajër të ndotur, sidomos në mëngjes dhe mbrëmje.

Komuna e Prishtinës dhe Qeveria e Kosovës kanë marrë masa të caktuara, në përpjekje për ta ulur nivelin e ndotjes së ajrit.

Ato kanë ndaluar shitja e thëngjillit brenda territorit të Prishtinës, si dhe qarkullimi i të gjitha automjeteve brenda qytetit të Prishtinës nga ora 6 deri në orën 22, përveç atyre të transportit publik, automjeteve emergjente, të Policisë, të misioneve diplomatike, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të EULEX-it, inspeksionit dhe taksive të licencuara.

XS
SM
MD
LG