Ndërlidhjet

SHBA fajëson Rusinë për sulmin kibernetik të vitit të kaluar


Fotografi ilustruese

Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar Rusinë për sulmin kibernetik të vitit të kaluar me virusin NotPetya, duke paralajmëruar Moskën për “pasoja ndërkombëtare”, për veprimet e saj.

Kjo deklaratë e SHBA-së ka ardhur vetëm disa orë pasi Britania e Madhe po ashtu e ka fajësuar Rusinë për sulmin kiberbetik të qershorit të vitit 2017, që ka shkaktuar probleme në shumë kompani në Evropë.

Britani ka thënë se Perëndimi nuk do të tolerojë aktivitete të tilla.

“Në qershor të vitit 2017, ushtria ruse ka nisur sulmin kibernetik më shkatërrues dhe më të kushtueshëm në histori”, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

“Sulmi i ashtuquajtur “NotPetya” shumë shpejt është shpërndarë në gjithë botë, duke shkaktuar dëme në vlerë të miliarda dollarëve në Evropë, Azi dhe Amerikë.

Ky hap ka qenë vetëm një nga përpjekjet e vazhdueshme të Kremlinit për ta destabilizuar Ukrainën”, është thënë në deklaratë.

“Ai ka qenë po ashtu sulm i pamatur, i cili do të përballet me pasoja ndërkombëtare”.

Në deklaratën e zyrës së Jashtme britanike, “qeveria ruse, specifikisht ushtria ruse” ka qenë përgjegjëse për sulmin.

Rusia ka hedhur poshtë përgjegjësinë për sulmin NotPetya duke përmendur se edhe kompanitë ruse kanë qenë në mesin e atyre që janë prekur nga ky virus.

Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, Dmitry Peskov ka kundërshtuar supozimet e Britanisë, duke thënë se këto deklarata janë pjesë e fushatës “rusofobike”, e cila po kryhet nga disa shtete Perëndimore.

Sulmi kiberbetike NotPetya ka nisur në Ukrainë, duke dëmtuar kompjuterët qeveritarë dhe ata të bizneseve, para se të shpërndahej në Evropë dhe botë.

Është vlerësur se kompanitë e prekura nga ky virus kanë humbur më shumë se 1.2 miliardë dollarë.

XS
SM
MD
LG