Ndërlidhjet

Ligjëvënësit amerikanë alarmohen nga aktakuza e Muellerit për rusët


Kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, foto nga arkivi

Ligjëvënësit amerikanë kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth përpjekjeve të jashtme për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Këto deklarata kanë ardhur pas ngritjes së aktakuzës nga këshilltari special, Robert Mueller për disa qytetarë dhe kompani ruse.

Në njoftimin e djeshëm nga zyra e Muellerit është bërë e ditur, se operacionet ruse nuk kanë qenë të fokusuara vetëm në reklamat në rrjetet sociale, të cilat kanë arritur tek miliona amerikanë gjatë zgjedhjeve, mirëpo ata kanë vizituar 10 shtete amerikane, të cilat nuk kanë qenë të vendosura se për cilin kandidat të votojnë, andaj kanë bërë përpjekje për të rritur mundësitë për fitoren e presidentit aktual, Donald Trump.

Shpesh ndodhë që këto vende të kenë rolin vendimtar në rezultatin final të zgjedhjeve.

Republikanët dhe Demokratët janë shprehur të alarmuar me këtë njoftim, duke kërkuar marrjen e masave për të parandaluar ndërhyrjen e jashtme në zgjedhjet e ardhshme amerikane.

“Ne e kemi ditur se rusët kanë ndërhyrë në zgjedhje mirëpo këto padi tregojnë në detaje këtë proces”, ka thënë kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, duke e cilësuar këtë hap, “sulm të vazhdueshëm në sistemin tonë politik”.

Zëdhënësi i demokrates, Hillary Clinton, Nick Merrill, ka thënë se aktakuza ka konfirmuar atë që ajo “ka ditur një kohë të gjatë”.

“Rusia ka marrë hapa të mëdhenj për të shkatërruar demokracinë tonë”, ka thënë Merrill përmes një postimi në Twitter.

“Pavarësisht politikave tona, kjo është jo-amerikane. Ne kemi një kundështar që po na përqesh dhe që do të veprojë përsëri”, ka thënë ai.

Senatori Bernie Sanders, i cili ka garuar me Hillary Clintonin në nominimin e demokratëve për president, ka thënë se, “ janë amerikanët që duhet të vendosin për të ardhmen politike të shtetit tonë, jo zoti Putin dhe oligarkët rusë. Është e domosdoshmeqë hetimi i Muellerit të vazhdojë pa pengesa nga administrata e Trumpit apo Kongresi”.

Ish-prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Eric Holder, e ka cilësuar padinë “jashtëzakonisht të rëndësishme”, përmes një postimi në Twitter.

“Elementet e komplotit kanë filluar të dalin në pah”, ka thënë ai.

XS
SM
MD
LG