Ndërlidhjet

Presidenti Kiska kërkon qeveri të re pas vrasjes së gazetarit sllovak


Presidenti sllovak, Andrej Kiska, foto nga arkivi
Presidenti sllovak, Andrej Kiska, foto nga arkivi

Presidenti sllovak, Andrej Kiska ka thënë sot se ai do të kërkojë bisedime me partitë dhe do të kërkojë formimin e qeverisë së re apo mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për të kthyer besimin e publikut në institucione pas vrasjes së gazetarit hulumtues, Jan Kuciak.

Mijëra persona kanë marshuar në kryeqytetin sllovak, Bratisllavë dhe qytete tjera për gazetarin Kuciak, i cili ka qenë duke hetuar lidhjet e supozuara mafioze, ku në mesin e tyre gjendet edhe një biznismen italian në lindje të Sllovakisë.

Gazetari Kuciak dhe e dashura e tij janë gjetur të vdekur vikendin e kaluar.

Një nga personat e përmendur në raportin e Kuciak, ka pasur lidhje me zyrën e kryeministrit Robert Fico.

Raporti i gazetarit është publikuar pas vdekjes së tij dhe prezantonte hetimet e Kuciak për ndonjë abuzim potencial të subvencioneve të Bashkimit Evropian apo mashtrimeve të tjera.

“Unë do të nis bisedimet me liderët politikë për atë se si e imagjinojnë atë të ardhmen dhe si të kthejmë besimin e njerëzve në shtetin e tyre. Unë i kam dy mundësi momentalisht”, ka thënë presidenti Kiska në një fjalim televiziv, transmeton Reuters.

Kiska nuk ka ndonjë fuqi zyrtare për të nxitur rënien e qeverisë së formuar nga tri parti, mirëpo ai ka thënë se “mundësia e parë mund të jetë ristrukturimi i qeverisë, proces i cili nuk do ta ndante shoqërinë”.

Si mundësi të dytë ai ka përmendur mbajtjen e zgjedhjeve, për të cilat nevojitet mbështetja e tri të pestave të ligjëvënësve.

XS
SM
MD
LG