Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Macron bisedon me Putinin për armëpushimin në Siri


Presidenti rus, vladimir Putin dhe ai i Francës, Emmanuel Macron, gjatë një konference të përbashkët për media. Foto nga arkivi

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron i ka bërë thirrje homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të sigurojë që Siria të pranojë pa “asnjë ambiguitet” rezolutën e Kombeve të Bashkuara, që bën thirrje për armëpushim 30-ditor.

Zyra e Macronit ka thënë se ai këtë kërkesë e ka adresuar përmes një bisedë telefonike që ka zhvilluar sot me Putinin.

Biseda mes presidentit francez dhe atij rus, vjen vetëm një ditë pasi Shtëpia e Bardhë bëri komente të ashpra kundrejt Rusisë, për mbështetjen që Moska i jep Qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad në luftën civile.

Këto zhvillime vijnë edhe pas zotimeve të Assadit se do të vazhdojë me ofensivën ushtarake në enklavën e kontrolluar nga rebelët në Goutan Lindore, ku mbi 600 civilë janë vrarë që prej 18 shkurtit.

Rreth 393 mijë njerëz ende janë të bllokuar në këtë enklavë, që gjendet në lindje të kryeqytetit sirian, Damask.

Po ashtu, sot, 46 kamionë me ndihma kanë hyrë në Goutan Lindore, ka njoftuar Kryqi i Kuq.

Gjatë bisedës telefonike me Putinin, Macron ka “theksuar se konvojet me ndihma humanitare duhet të lejohen që të arrijnë te popullsia pa asnjë vonesë”, ka njoftuar Pallati Elize.

Presidenti francez ka pranuar po ashtu se “grupet e armatosura opozitare duhet të pranojnë kamionët me ndihma humanitare” dhe të respektojnë “pauzën humanitare pesë orësh, të vendosur nga Rusia”, thuhet në njoftimin e presidencës franceze.

XS
SM
MD
LG