Ndërlidhjet

Fatmir Limaj shpallet i pafajshëm në Gjykatën Themelore në Gjakovë


Fatmir Limaj, foto nga arkivi

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka shpallur të pafajshëm Fatmir Limajn në lidhje me vrasjet e dy civilëve shqiptarë gjatë kohës së luftës.

Aktakuza kishte të bënte me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës.

Hoxha e Binishi ishin vrarë më 2 tetor 1998 gjatë kohës së luftës, pasi, sipas prokurorisë, ishin marrë nga persona të maskuar e të armatosur me uniforma të UÇK-së.

“Nuk provohen elementet e veprës penale dhe i pandehuri lirohet nga aktakuza” ka thënë sot gjykatësi i rastit.

Lajmin lidhur me vendimin lirues të gjykatës në Gjakovës e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, edhe avokati mbrojtës i zotit Limaj, Tahir Rrecaj.

"Aktgjykimi i gjykatës i shkallës së parë është lirues në mungesë të provave", tha Recaj.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër Fatmir Limaj, nën dyshimet për veprën penale “krime të luftës kundër popullatës civile”.

Fatmir Limaj, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktualisht është zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës dhe kryetar i partisë politike Nisma.

Fatmir Limaj është akuzuar edhe në të kaluarën për krime lufte, por në fund gjykata e ka shpallur të pafajshëm dhe kishte vendosur ta lironte në mungesë të provave bindëse.

Gjithashtu, Limaj është përballur me gjykim për krime lufte edhe në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, ku po ashtu është shpallur i pafajshëm.

XS
SM
MD
LG