Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Britania dëbon 23 diplomatë rusë pas helmimit të ish-spiunit rus


Kryeministrja britanike, Theresa May, foto nga arkivi

Britania e Madhe do të dëbojë 23 diplomatë rusë në kuadër të masave kundër Rusisë, e cila ka injoruar ultimatumin për të dhënë shpjegime se si është përdorur agjenti nervor i zhvilluar në Luftën e Ftoftë, në helmimin e ish-spiunit rus në Britani, Sergei Skripal.

Kryeministrja britanike, Theresa May u ka thënë sot ligjëvënësve se diplomatët do të kenë një javë për ta lëshuar shtetin, pasi sipas asaj ata janë identifikuar si “zyrtarë të padeklaruar të inteligjencës”.

May ka thënë se ky hap, që është përshkruar si dëbimi më i madh i diplomatëve rusë nga Britania në 30 vjetët e fundit, do të ulë kapacitetet e inteligjencës ruse në Britani në vitet në vijim.

May po ashtu ka thënë se në kundër të masave kundër Rusisë, Britania do të pezullojë të gjitha kontatet bilaterale të nivelit të lartë me këtë shtet.

Ajo po ashtu ka thënë se ministrat britanikë dhe familja mbretërore nuk do të marrin pjesë në ceremoninë e Kampionatit të futbollit për Kupën e Botës, që mbahet këtë vit në Rusi.

“Ne do të ngrijmë asetet e shtetit rus kudo që kemi të dhëna se ato janë përdorur për të kërcënuar jetën apo pronën e banorëve britanikë”, ka njoftuar May.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO, kanë deklaruar mbështetjen e tyre për Britaninë, pasi May pati thënë një ditë më parë se “ka shumë mundësi” se Rusia është mbrapa helmimit të ish-spiunit rus në Britani, Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia.

Autoritetet britanike kanë thënë se të dy personat i janë ekspozuar një substance vdekjeprurëse të zhvilluar nga ushtria sovjetike dhe gjendet në mesin e agjentëve nervorë të njohur si Noviçok.

Ata janë duke trajtuar këtë rast si tentim vrasje.

XS
SM
MD
LG