Ndërlidhjet

Arrestohet ligjvënësja ukrainase për "komplot terrorist"


Ligjëvënësja, Nadia Savchenko.
Ligjëvënësja, Nadia Savchenko.

Zyrtarët e sigurisë ukrainase kanë ndaluar Nadia Savchenkon, e cila ka qenë ligjvënëse dhe ish e burgosur në Rusi.

Ajo është akuzuar për komplot në një sulm “terrorist” që ishte planifikuar në ndërtesën e parlamentit të Ukrainës.

Agjentët e Shërbimit Shtetëror të Sigurisë (SBU), kanë ndaluar Savchenkon brenda parlamentit, pasi disa ligjëvënës të tjerë në parlamentin e Ukrainës kanë votuar për heqjen e imunitetit të Savchenkos dhe kanë autorizuar arrestimin e saj.

Savchenkos i është thënë se ajo është e dyshuar dhe është larguar nga zyrtarët prej zyrës së parlamentit.

Ajo nuk ishte e prangosur dhe nuk kishte shenja të protestës, ndonëse dhjetëra mbështetës dhe kritikë janë mbledhur më herët jashtë parlamentit.

Ndalimi është cilësuar si kthesë e madhe për Ukrainën dhe Savchenkon, një nga simbolet më të mirënjohura të luftës së përgjashme në të cilën kanë vdekur 10,300 persona në rajonin e Donbasit.

Konflikti në lindje të Ukrainës ka nisur në vitin 2014 në mes të forcave të Kievit dhe separatistëve pro-rusë.

Savchenko ka thënë se ishte kidnapuar dhe ishte dërguar në Rusi.

Ajo ka kaluar dy vite në burg duke sfiduar Kremlinin me disa greva urie dhe është kthyer në Kiev si heroinë pasi është liruar në një këmbim të të burgosurve në maj të vitit 2016.

E zgjedhur në parlament në një parti opozitare derisa ishte duke u mbajtur në Rusi, Savchenko është kthyer në kritike të ashpër të qeverisë së presidentit ukrainas, Petro Poroshenko pas kthimit të saj.

Më 15 mars, Prokurori i Përgjithshëm, Yuriy Lutsenko e ka akuzuar Savchenkon për komplot të shkatërrimit të parlamentit ukrainas.

“Plani ka qenë që të shkatërrohet sistemi kushtetues duke kryer sulme terroriste në selinë e qeverisë së Kievit, me anë të përdorimit të armëve të liderëve të ashtuquajtur DNR”, ka thënë Lutsenko, duke iu referuar separatistëve në rajonin Donetsk.

Savchenko i hedh poshtë supozimet, duke thënë se disa agjentë që po tentojnë ta përulin atë, e kanë inkurajuar për ta rrëzuar qeverinë.

“Ky nuk është akt terrorist, ky është provokim politik për t’i bërë autoritetet të duken qesharake”, pati thënë ajo më 20 mars.

XS
SM
MD
LG