Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka arritur të martën në mbrëmje në Beograd dhe po zhvillon takimin me presidentin Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Temë e këtij takimi, siç është paralajmëruar, janë ngjarjet e fundit në Kosovë.
Vizita e Mogherinit në Beograd pason arrestimin e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, nga Policia e Kosovës të hënën më 26 mars në Mitrovicë. Gjuriq kishte shpërfillur vendimin e Prishtinës për të mos ia lejuar hyrjen në Kosovë.
"E kemi thënë qartë se ftojmë autoritetet në Serbi dhe Kosovë të dëshmojnë përmbajtje të domosdoshme dhe pjekuri, në mënyrë që situata në Kosovë të mos përshkallëzojë”, ka thënë zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijançiq në takimin e rregullt me gazetarët në Bruksel.