Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Diplomatët e dëbuar nga SHBA-ja arrijnë në Rusi


Diplomatët e dëbuar rusë duke u larguar nga ambasada në Uashington. 31 mars, 2018

Diplomatët rusë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, kanë arritur në Moskë.

Agjencia shtetërore e lajmeve ruse TASS ka raportuar sot se 46 pjesëtarë të stafit të ambasadës ruse në Uashington dhe familjet e tyre kanë arritur në aeroportin Vbukovo në Moskë.

Edhe një avion që bartë 14 pjesëtarë të stafit të konsullatës ruse në Sietëll dhe pjesëtarë të misionit rus në OKB ka arritur më vonë gjatë ditës në kryeqytetin rus.

Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar 60 diplomatë rusë dhe kanë udhëruar mbylljen e konsullatës ruse në Sietëll, duke iu kundërpërgjigjur kështu helmimit të dyshuar të Rusisë me agjent nervor të ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Britani.

Britania e akuzon Rusinë se qëndron prapa këtij sulmi, por Moska mohon një gjë të tillë.

Britania, Shtetet e Bashkuara dhe dhjetëra qeveri në mbarë botën kanë udhëruar dëbimin e mbi 150 diplomatëve rusë.

Rusia është kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë, duke dëbuar diplomatët e vendeve perëndimore. Moska ka udhëruar dëbimin e 60 diplomatëve amerikanë dhe ka mbyllur konsullatën amerikane në Shën Petersburg.

XS
SM
MD
LG