Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Turqia urdhëron arrestimin e 15 studentëve që kanë kundërshtuar operacionin në Afrin


Forcat speciale të Turqisë, foto nga arkivi.

Autoritetet turke kanë urdhëruar arrestimin e 15 studentëve universitarë që kanë protestuar kundër ofensivës ushtarake të këtij vendi në rajonin Afrin të Sirisë, ka raportuar e përditshmja turke, Hurriyet.

Protesta ka ndodhur muajin e kaluar pasi një grup i studentëve nga Universiteti Bogazici në Stamboll kanë organizuar në marsh në mbështetje të ofensivës turke kundër kurdëve të Sirisë.

Një grup rival i studentëve më pas ka mbajtur një kundër-marsh, i cili ka detyruar presidentin turk Recep Tayyip Erdogan që t’i cilësojë studentët si “terroristë” dhe ka kërkuar nga autoritetet që të nisin hetim.

Prokurorët kanë thënë se studentët kanë vepruar në linjë të njëjtë me militantët kurdë dhe “kanë tentuar të portretizojnë Turqinë dhe forcat e saj si përdoruese të dhunës dhe përgjegjëse për veprime të paligjshme në rajon”, ka shkruar Hurriyet, transmeton Rueters.

Ende nuk ka ndonjë përgjigje nga zyra e prokurorit lidhur me këtë çështje.

Pas mbajtjes së protestës, Erdogan ka thënë se studentëve do t’iu ndalohen studimet në universitet.

“Ne do t’i gjejmë këta terroristë dhe do të bëjmë atë që është e nevojshme. Ne nuk do t’iu japim këtyre terroristëve të drejtën për të studiuar në universitet”, ka thënë Erdogan muajin e kaluar.

Javë më parë forcat turke kanë nisur një aksion në rajonin Afrin në Siri, zonë e kontrolluar nga kurdët e Njësiteve për Mbrojtjen e Popullit (YPG).

Turqia e konsideron YPG-në organizatë të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Nga fillimi i ofensivës, autoritetet turke kanë ndaluar qindra persona për shkak të postimeve të tyre në rrjetet sociale apo që kanë protestuar lidhur me zhvillimin e operacionit ushtarak.

XS
SM
MD
LG