Ndërlidhjet

Haradinaj konfirmon fillimin e punës së Mekanizmit për Asociacionin


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka njoftuar kabinetin e tij rreth fillimit të punës së Mekanizmit Drejtues për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Puna kryesore aktualisht, u tha se do të jetë hartimi i statutit të Asociacionit.

Kryeministri Haradinaj tha se janë tri ekipe që do të angazhohen, ku bëjnë pjesë Komiteti zbatues, Ekipi menaxhues dhe Ekipi nacional konsultativ. Po ashtu, puna e këtyre ekipeve do të mbështetet edhe nga ekspertë të OSBE-së.

Haradinaj tha se drafti apo statuti që do të hartohet do t’i dërgohet për vendim final Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila do të bëj vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij.

Themelimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është produkt i marrëveshjeve të Brukselit, të arritura në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Prishtina zyrtare e sheh këtë organ si një Asociacion me kompetenca jo ekzekutive. Përderisa Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, pretendojnë se Asociacioni apo siç e quajnë Bashkësia e komunave serbe, të ketë edhe kompetenca ekzekutive.

Bashkimi Evropian në anën tjetër ka përshëndetur nismat për themelimin e Asociacionit duke pritur që brenda katër muajve, ky organ do të themelohet dhe do të funksionojë mbi bazën e ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës.

XS
SM
MD
LG