Ndërlidhjet

Nunn: Miqësia ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së të jetë e përhershme


Delegacioni prej 50 anëtarësh nga Iowa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kuvendin e Kosovës
Delegacioni prej 50 anëtarësh nga Iowa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kuvendin e Kosovës

Një delegacioni prej 50 anëtarësh nga Iowa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po qëndron në Kosovë.

Delegacioni i kryesuar nga Zach Nunn, përfaqësues në Komitet për Marrëdhënieve Ndërkombëtare nga Iowa dhe Timothy Orr, gjeneral i Gardës Kombëtare të Iowa-s, zhvilluan takime në Kuvendin e Kosovës, me kryetarin e këtij institucioni, Kadri Veseli si dhe me disa komisione parlamentare.

Veseli tha se Iowa ka luajtur rol të rëndësishëm në gjithë procesin e shtetndërtimit të Kosovës.

“Në këtë sallë para 10 vitesh, Kosova, shtëpia e juaj e dytë, shpalli pavarësinë e vet. Historia e pavarësisë që sjell 17 shkurtin e vitit 2008 është plot dhimbje e lavdi për popullin tonë, janë më shumë se 100 vjet përpjekje e brezave për liri e pavarësi, një ideal që nuk u shua për asgjë”, theksoi Veseli gjatë një fjalimi para këtij delegacioni.

Shteti i Kosovës është realitet, theksoi Veseli, sipas të cilit, për një dekadë pavarësi dhe dy dekada liri, Kosova ka bërë hapa gjigantë në konsolidimin e institucioneve të qëndrueshme.

“Po ndërton gradualisht një shtet ligjor ku secili qytetar është i barabartë. Këto nuk janë vetëm meritë e jona, janë kontribut i miqve tanë ndërkombëtarë, është kontribut i secilit prej jush që na keni ndihmuar për arsim cilësor, ushtri profesionale”, theksoi Veseli.

Ndërkaq, kryesuesi i delegacionit nga Iowa, Zach Nunn rikujtoi angazhimin dhe ndihmën e Iowa-s për Kosovën. Ai tha se ky bashkëpunim duhet të jetë i përhershëm.

“Është mirë kur shoh se sa keni përparuar. Ne duam të jemi partner i juaj. Kosova ka bërë partneritet me ne dhe se ne kemi edhe konsullatën tuaj atje me çka janë vendosur marrëdhëniet edhe më të forta reciproke”, tha Nunn. Ai sqaroi se nga delegacioni prej 50 anëtarëve që po vizitojnë Kosovën, shumica kanë ardhur me vetëfinancim me dëshirën që bëjnë diçka në të mirë të Kosovës dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.

Ndërkaq, Timothy Orr, Gjeneral i Gardës Kombëtare të Iowas, tha se Kosova ka qenë pjesë e bashkëpunimit me Iowan edhe më përpara se të fillojë partneriteti në mars të vitit 2011. Ai shprehu kënaqësinë që ka pasur rastin të jetë në Kosovë që nga paslufta.

Ai tha se për shtatë vite të partneritetit dhe bashkëpunimit me FSK-në, është ecur shumë përpara. Partneritetin me Kosovën, Orr e konsideroi më të mirin nga 77 partneritete sa ka Iowa në gjithë botën.

“Zemra ime do t’i takojë çdo herë Kosovës. Kjo është shtëpia ime e dytë”, theksoi gjenerali Orr.

Gjenerali Orr është pritur edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Marrëdhëniet bilaterale dhe miqësia e mirë që Kosova ka me shtetin e Iowa-s, janë marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Haradinaj.

“Jemi të përkushtuar që marrëdhëniet tona bilaterale të fuqizohen në fusha të interesit të përbashkët dhe përvoja juaj do të na ndihmojë në avancimin e sektorëve të ndryshëm, veçmas në fushën e sigurisë, arsimit, shëndetësisë, në kulturë”, tha kryeministri Haradinaj. Ai ka falënderuar Gjeneralin Orr për rolin dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, veçmas për mbështetjen e vazhdueshme të FSK-së.

Gjenerali amerikan Timothy Orr në takim me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj
Gjenerali amerikan Timothy Orr në takim me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj

Pas takimit me kryeministrin Haradinaj, në një adresim para kabinetit qeveritar,Gjenerali Orr tha se partneriteti Kosovë-Iowa është më i miri që ka Ioëa dhe SHBA-të, dhe kjo falë popullit të Kosovës.

“Nuk kemi gjetur partneritet më të mirë sesa Kosovën dhe popullin e saj”, tha gjeneral majori Timothy Orr.

Delegacioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka në agjendë edhe vizita e takime tjera me përfaqësues dhe institucione të Kosovës.

XS
SM
MD
LG