Ndërlidhjet

Karateistët e Kosovës nisen të mërkurën për në Novi Sad


Përfaqësuesja e Karatesë së Kosovës
Përfaqësuesja e Karatesë së Kosovës

Përfaqësuesja e Karatesë së Kosovës do të niset të mërkurën në mëngjes për në Novi Sad, ku do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë, që mbahet prej 10 deri më 13 maj.

Kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Ismet Krasniqi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Përfaqësuesja e Kosovës, e cila përbëhet nga 13 sportistë të karatesë, me autobusë do të shkojë deri në vendkalimin kufitar në Merdar, ku do t’i presë një autobus tjetër nga Serbia, me të cilin, për shkaqe të sigurisë, do të udhëtojnë deri në Novi Sad.

Krasniqi ka theksuar se pret që Kosova do të trajtohet në mënyrë të njëjtë në gara, sikurse edhe të gjitha vendet tjera garuese, me apo pa simbolet shtetërore.

“Ashtu siç do të jetë për të tjerët, ashtu le të jetë edhe për ne. Në të kundërtën, nuk do të garojmë”, ka thënë Krasniqi.

Federata e Karatesë së Serbisë, më herët, pati deklaruar për Radion Evropa e Lirë se Kosova do të marrë pjesë në garë pa simbolet shtetërore. Një gjë të tillë, pala nga Kosova e ka vlerësuar të papranueshme, duke shtuar se për këtë vendosë Federata Evropiane e Karatesë.

XS
SM
MD
LG