Ndërlidhjet

Zbehet disponimi për takimin historik Trump-Kim


Monedha për takimin e pritur mes presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësin e Koresë veriore, Kim Jong-un

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka “shanse reale” që takimi i tij historik me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, i planifikuar për muajin e ardhshëm, të shtyhet.

Ai tha se Veriu duhet t’i përmbushë kushtet për zhvillimin e samitit.

Trump i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë, ku priti presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in.

Veriu tha se mund ta anulojë samitin nëse SHBA insiton që Phenjani të heqë dorë nga armët bërthamore në mënyrë të njëanshme.

Trump nuk saktësoi se çfarë kushtesh ka vendosur SHBA-ja për samitin, por i pyetur nga një gazetar për arsenalin e Veriut, ai tha se “denuklearizimi duhet të ndodhë”.

Samiti i 12 qershorit është paraparë të zhvillohet në Singapor. Ai do të pasonte një takim historik midis liderëve të dy Koreve në muajin prill.

Në ndërkohë, Koreja e Veriut është pajtuar t’i lejojë gazetarët nga Jugu të ndjekin çmontimin e lokacionit të saj të testeve bërthamore. Gazetarët, të cilëve më herët u janë refuzuar vizat, do t’i bashkohen një ekipi të medias ndërkombëtare që do të vizitojnë Pungjerin në ditët e ardhshme.

Çmontimi i këtij lokacioni është interpretuar si gjest i vullnetit të mirë, porse mund të shtyhet për shkak të motit të keq.

Presidenti Trump u tha gazetarëve se do të shohë se çfarë do të ndodhë.

Ai po ashtu tha se qëndrimi i Kim Jong-unit ka ndryshuar pas vizitës së tij të dytë në Kinë, që ka zhvilluar këtë muaj.

Pak orë më vonë, gjatë një konference për media, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë të punojnë për samitin e 12 qershorit.

Ai e lavdëroi Kinën për ofrimin e "ndihmës historike" në ushtrimin e presionit ndaj Koresë së Veriut.

Por, disponimi është zbehur javën e kaluar, pasi Koreja e Veriut ka anuluar bisedimet e nivelit të lartë me Korenë e Jugut, duke thënë se stërvitjet ushtarake të Jugut me SHBA-në janë “provokim”.

Phenjani po ashtu ka akuzuar këshilltarin amerikan për siguri kombëtare, John Bolton, për bërje të “deklaratave të pakujdesshme” kur ka sugjeruar se Veriu duhet të ndjekë “modelin e Libisë” për denuklearizim.

Kjo ka qenë referencë për ish-udhëheqësin libian, Muammar Gaddafi, i cili është pajtuar të dorëzojë armët bërthamore në vitin 2003 dhe më vonë është vrarë nga rebelët e mbështetur nga Perëndimi.

Trump më vonë ka mohuar se SHBA do të ndiqte “modelin e Libisë” nëse do të arrihej marrëveshje me Korenë e Veriut.

“Ky model, me gjasë, do të ndiqej nëse nuk do të kishim marrëveshje. Por, nëse bëjmë marrëveshje, mendoj se Kim Jong-un do të ishte shumë, shumë i lumtur”, ka thënë Trump.

Takimi Trump-Kim do të ishte historik sepse asnjë president në detyrë i Shteteve të Bashkuara nuk ka takuar kurrë liderin verikorean.

Trump ka pranuar ftesën e Koresë së Veriut për bisedime direkte, pas më shumë se një viti retorikë të nxehtë dhe shqetësime se armiqësitë mund të përshkallëzohen në konfrontim ushtarak.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG