Ndërlidhjet

Kosova e njofton zyrtarisht Malin e Zi për ratifikimin e demarkacionit


Vija kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, fotografi nga arkivi

Institucionet e Republikës së Kosovës e kanë njoftuar të enjten zyrtarisht Malin e Zi për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit.

Lajmin e ka konfirmuar për Radio Evropa e Lirë, kabineti i Qeverisë së Malit të Zi.

“Ne e kemi pranuar informacionin zyrtar nga Republika e Kosovës për ratifikimin e demarkacionit”, ka thënë Qeveria malazeze.

Të martën, Radio Evropa e Lirë, raportoi se si institucionet e Kosovës ende nuk e kishin njoftuar Malin e Zi për këtë çështje.

Njoftimi përmes rrugëve diplomatike parashihej përmes marrëveshjes së arritur ku qeveritë e kishin obligim që të njoftonin njëra-tjetrën për përfundimin e procedurave të brendshme sa i përket ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit.

Sipas marrëveshjes, Komisionet për Kufirin Shtetëror midis Malit të Zi dhe Kosovës, pritet të formojnë një trup punues të përbashkët, i cili do të jetë përgjegjës për të kryer shënimin e kufirit shtetëror mes të dyja shteteve.

Kosova dhe Mali i Zi, kanë nënshkruar marrëveshjen e demarkacionit në Vjenë të Austrisë në vitin 2015, derisa Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar të njëjtën më 21 mars të këtij viti.

XS
SM
MD
LG