Ndërlidhjet

Kuvendi nuk e miraton kërkesën e Vetëvendosjes për shkarkimin e Dërgutit


Aida Dërguti
Aida Dërguti

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e deputetes, Aida Dërguti nga posti i nënkryetares së Kuvendit.

Nisma e Vetëvendosjes për shkarkimin e Dërgutit nga ky post, ka pasuar ndarjen e kësaj partie politike që ndodhi kohë më parë.

Gjatë fillimit të mandatit të kësaj legjislature, Dërguti ishte zgjedhur nënkryetare e Kuvendit, si deputete e Vetëvendosjes.

Ndërkaq pas ndarjes së partisë, Dërguti tani i përket Partisë Social Demokrate, e cila është formuar nga fraksioni i Vetëvendosjes.

Nismën për shkarkimin e Dërgutit e kishte prezantuar deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ndërkaq këtë nismë e ka kundërshtuar deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Sipas versionit të paraqitur nga Konjufca, posti i nënkryetarit, në këtë rast, i takon pikërisht Vetëvendosjes dhe jo PSD-së.

Si rezultat nga votimi doli që 16 vota ishin për, 26 kundër dhe 48 abstenime.

Kryesia e Kuvendit ka në përbërje, kryetarin e Kuvendit, si dhe pesë nënkryetarë, të cilët vijnë nga tri grupet më të mëdha parlamentare të shumicës si dhe dy nënkryetarë nga komunitetet pakicë.

XS
SM
MD
LG