Ndërlidhjet

Mueller ngre akuza të reja kundër ish-kryetarit të fushatës së Trumpit


Paul Manafort
Paul Manafort

Robert Mueller, këshilltari i posaçëm amerikan që po heton ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në SHBA më 2016, ngriti akuza të reja kundër ish-udhëheqësit të fushatës së presidentit Donald Trump, duke thënë ai ka bërë përpjekje të manipulojë me dëshmitarë.

Mueller tha se Paul Manafort, në liri me kusht, në pritje të gjykimit, ka bërë vazhdimisht përpjekje të komunikojë me dy persona nga Grupi Hapsburg, një firmë me të cilën ka punar përpara vitit 2014, për të promovuar interesat e ish-presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych.

Në dosjen që Mueller dorëzoi në gjykatë, thuhet se FBI ka dokumente, deklarata dhe regjistrime telefonike që tregojnë se Manafort ka bërë përpjekje të komunikojë me dëshmitarë të mundshëm në muajin shkurt, në shkelje të kushteve të lirimit të tij me kusht.

Manafort është akuzuar më herët për pastrim parash, dështim për t'u regjistruar si agjent i huaj dhe mashtrim me taksa.

Ai nuk e ka pranuar fajësinë.

Manafort është anëtari më i lartë i fushatës së Trumpit që paditet, edhe pse asnjë prej akuzave kundër tij deri më tash nuk lidhen me aktivitetet e tij gjatë kohës sa ka qenë kryetar i fushatës së Trumpit, në vitin 2016.

Një numër akuzash lidhen me punën e tij për Yanukovychin, i cili është rrëzuar nga pushteti në vitin 2014 dhe tani jeton në mërgim në Rusi.

XS
SM
MD
LG