Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Sulmuesi i Stokholmit dënohet me burgim të përjetshëm


Ilustrim i Rakhmat Akilov.

Gjykata suedeze ka dënuar me burgim të përjetshëm uzbekun, Rakhmat Akilov, për shkak të një sulmi me kamion që ka lënë të vdekur pesë persona në Stokholm vitin e kaluar.

Akilov “është shpallur fajtor për vepër terroriste për vrasje në pesë raste. Dënimi është vendosur për burgim të përjetshëm”, ka njoftuar gjykata në Stokholm.

Akilov ka pranuar se ka drejtuar kamionin në një rrugë me shumë këmbësorë në qendër të kryeqytetit suedez më 7 prill 2017, duke vrarë tre suedezë, duke përfshirë një vajzë 11 vjeçare, një burrë britanik dhe një grua belge.

Dhjetë persona të tjerë janë plagosur në këtë sulm.

Më shumë se 100 persona kanë dëshmuar gjatë gjykimit që ka zgjatur për 3 muaj, duke përfshirë të mbijetuarit dhe familjarët.

Akilov, 40 vjeçar, të cilit i është refuzuar kërkesa për azil, ka pranuar në fillim të gjykimit në muajin shkurt se ai ka drejtuar kamionin, duke thënë se qëllimi i tij ka qenë ta detyrojë Suedinë që t’i japë fund luftimit të grupit militant, Shteti Islamik (IS).

Prokuroria ka kërkuar që Akilov të shpallet fajtor për terrorizëm, duke kërkuar burgim të përjetshëm, i cili duhet të përcjellet me dëbimin e të dënuarit nga shteti skandinav.

Avokati mbrojtës i Akilovit ka bërë thirrje për masë tjetër, duke thënë se klienti i tij ka bashkëpunuar me hetuesit pas arrestit.

Suedia, e cila nuk është anëtare e NATO-s ka rreth 70 ushtarë kryesisht në veri të Irakut, të cilët ofrojnë trajnime në kuadër të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër IS-it.

XS
SM
MD
LG