Ndërlidhjet

Putin dhe Poroshenko bisedojnë për shkëmbim të të burgosurve


Presidenti rus, Vladimir Putin
Presidenti rus, Vladimir Putin

Kremlini njofton se presidenti rus, Vladimir Putin dhe lideri ukrainas, Petro Poroshenko kanë biseduar për mundësinë e shkëmbimit të të burgosurve.

“Vëmendje e veçantë i është kushtuar çështjeve humanitare, përfshirë shkëmbimin e njerëzve që mbahen nga të dyja palët”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Kremlini sot, pasi dy liderët zhvilluan një bisedë telefonike.

Zyra e presidentit ukrainas, përmes një deklarate tha se dy liderët kanë biseduar sot dhe Poroshenko, në mënyrë specifike ka kërkuar lirimin e shtetasve ukrainas që po mbahen në Rusi, të cilët kanë hyrë në grevë urie.

Në mesin e tyre që Poroshenko bëri thirrje për lirim është edhe Oleh Sentsov, regjisor ukrainas, i cili është në grevë urie. Ai po mbahet në një burg në rajonin verior Yamalo-Nenets.

Senstov është në grevë urie që prej 14 majit dhe po kërkon që autoritetet ruse të lirojnë 64 shtetasit ukrainas, që ai i cilëson si të burgosur politikë.

Regjisori ukrainas, Senstov u arrestua më 2014 në Krime, pasi Rusia aneksoi këtë territor nga Ukraina. Një gjykatë ruse më 2015 e dënoi atë për planifikim të akteve terroriste. Ai hedh poshtë akuzat.

XS
SM
MD
LG