Ndërlidhjet

Senati amerikan miraton ndalimin e shitjes së avionëve luftarakë në Turqi


Avion luftarak F-35
Avion luftarak F-35

Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi një projektligj që do të bllokojë shitjen e avionëve luftarakë amerikanë F-35 në Turqi, nëse kjo e fundit nuk heq dorë nga një marrëveshje për blerjen e sistemeve të mbrojtjes raketore S-400 nga Rusia.

Legjislacioni po ashtu përmban një dispozitë që bllokon marrëveshjen e presidentit Donald Trump me Kinën, për t’i mundësuar gjigantit të telekomunikimeve ZTE të mbetet në biznes, pavarësisht shkeljes së sanksioneve amerikane kundër Iranit dhe Koresë së Veriut.

Dy dispozitat që prekin Turqinë dhe ZTE-në janë pjesë e një Akti masiv të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili autorizon mbi 700 miliardë dollarë në shpenzimet për programet ushtarake dhe armët.

Projektligji duhet të nënshkruhet nga presidenti Trump.

Zyrtarët e NATO-s e kanë paralajmëruar vazhdimisht Turqinë se sistemet ruse S-400 nuk janë në përputhje me mbrojtjen e NATO-s, por Turqia i ka hedhur poshtë këto shqetësime.

XS
SM
MD
LG