Ndërlidhjet

Gjenerali i Gardës Revolucionare të Iranit kundërshton thirrjet për bisedime me SHBA-në


Gjenerali, Mohammad Ali Jafari.

Udhëheqësi i trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Mohammad Ali Jafari, ka kundërshtuar një kërkesë të aktivistëve iranianë për të nisur bisedime me Shtetet e Bashkuara, për të zgjidhur dallimet afatgjata, duke thënë se ata janë të “njëanshëm me SHBA-në, armikun e popullit”.

“Arritja e ndonjë mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara përbën vdekje për Republikën Islamike”, është cituar të ketë thënë Gjenerali, Mohammad Ali Jafari, sipas agjencisë së lajmeve ISNA.

Gjatë vikendit, më shumë se 100 aktivistë kanë mirëpritur marrëveshjen e presidentit amerikan, Donald Trump me liderin verikorean, Kim Jong Un për të punuar drejt denuklearizimit të plotë të Gadishullit Korean.

Aktivistët, që kryesisht jetojnë jashtë Iranit, i kanë bërë thirrje Teheranit për të nisur negociata të drejtpërdrejta me Uashingtonin dhe “pa parakushte”, për të zgjidhur armiqësinë që ka përcjellur dy shtetet për dekada.

Mirëpo Jafari ka hedhur poshtë idenë, duke thënë se aktivistët që përkrahin bisedimet me Trumpin, i cili ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja bërthamore që Irani ka me fuqitë botërore, janë “tradhtarë dhe antirevolucionarë”.

Zëdhënësi i qeverisë iraniane, Mohammad Bagher Nobakht, ka mirëpritur deklaratat e Jafarit.

“Nuk ka bazë dhe logjikë për të bisedur me një person të tillë (si Trumpi). As opinioni publik nuk do ta mirëpriste një gjë të tillë”, është cituar të ketë thënë Nobakht, sipas agjencisë së lajmeve ISNA.

XS
SM
MD
LG