Ndërlidhjet

SHBA konfirmon vizitën e Boltonit në Moskë


Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton.
Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton.

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton do të udhëtojë drejt Moskës në ditët në vijim për të diskutuar ndonjë takim të mundshëm në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit rus, Vladimir Putin, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, disa orë pas deklaratave të Kremlinit për mundësinë e një takimi të tillë.

“Më 25-27 qershor, Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton do të takohet me aleatët amerikanë në Londër dhe Romë për të diskutuar çështjet e sigurisë kombëtare dhe do të udhëtojë në Moskë për të diskutuar zhvillimin e ndonjë takimi eventual në mes të presidentit Trump dhe homologut të tij rus, Putin”, ka njoftuar asistentja speciale e presidentit, Garrett Marquis.

Ende nuk është bërë e ditur agjenda e Boltonit gjatë këtyre ditëve.

Njoftimet amerikane kanë ardhur disa orë pasi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u ka thënë gazetarëve se ka mundësi që Bolton të vizitojë Moskën.

“Për aq sa dimë deri tash, takimi do të ndodhë. Kjo është e gjitha që mund të themi tani”, ka thënë Peskov para gazetarëve më 21 qershor.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Rusia është e gatshme “për të kontaktuar” me Shtetet e Bashkuara.

“Nëse arrihet marrëveshja për mbajtjen e takimit të nivelit të lartë, do të bëhet publike”, është shprehur ai.

Më 9 qershor, Peskov ka thënë se presidenti rus dhe ai amerikan kanë diskutuar detaje të takimit të tyre, në një bisedë telefonike në muajin mars, duke përmendur Vjenën si vend të mundshëm për takim.

Presidenti amerikan pati thënë në muajin mars se do të takohej me Putinin, mirëpo nga ajo kohë marrëdhëniet në mes të Uashingtonit dhe Moskës janë përkeqësuar për shkak të konfliktit në Siri dhe helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal në Britani.

XS
SM
MD
LG