Ndërlidhjet

Putin: Rezultati tregoi "autoritetin e madh politik" të Erdoganit


Vladimir Putin (majtas) dhe Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e uroi presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për rizgjedhje dhe tha se rezultati tregoi "autoritetin e madh politik" të liderit turk dhe mbështetjen masive për të.

Putin dhe Erdogan, në një bisedë telefonike, konfirmuan interesin e tyre të ndërsjellë për "thellimin e partneritetit midis dy vendeve", tha Kremlini.

Erdogan, i cili ka dominuar politikën turke gjatë 15 vjetëve të kaluar, i fitoi të dielën zgjedhjet presidenciale, të cilat i siguruan mandatin pesëvjeçar.

Me ndryshimet e reja kushtetuese, të miratuara në një referendum vitin e kaluar, Erdogan do të ketë kompetenca shtesë.

Kremlini tha se Putin shprehu gatishmërinë e tij për të vazhduar "punën dhe dialogun" me Erdoganin, partia e të cilit, në aleancë me disa më të vogla, ka fituar edhe shumicën parlamentare në zgjedhjet e së dielës.

Edhe vetë Putin e zgjati sundimin e tij pothuajse prej dy dekadësh kur fitoi mandatin e katërt presidencial në zgjedhjet e marsit.

Më herët, përmes një deklarate të përbashkët, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe komisionari për zgjerim, Johannes Hahn, i bënë thirrje Turqisë të adresojë "mangësitë kyçe në lidhje me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore", duke vënë në dukje se sistemi i ri presidencial ka "implikime për demokracinë turke".

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e përgëzoi Erdoganin, por shtoi se aleanca "bazohet në disa vlera thelbësore: demokracinë, sundimin e ligjit dhe lirinë individuale".

XS
SM
MD
LG