Ndërlidhjet

Britania kërkon sqarime nga Rusia për helmimet me Noviçok


Personeli ushtarak i Britanisë së Madhe duke kryer hetime, foto nga arkivi.

Ministri britanik i Sigurisë, Ben Wallance, i ka bërë thirrje Rusisë të japë detaje për sulmin me agjent nervor, Noviçok ndaj ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në muajin mars, pasi dy qytetarë britanikë janë helmuar me substancën e njëjtë javën e kaluar.

Një burrë dhe një grua vazhdojnë të jenë në gjendje kritike pasi janë sëmurë në qytetin britanik, Eimsbëri më 30 qershor.

Kjo qytezë është vetëm 11 kilometra larg Sallsbërit, vend në të cilin ishin helmuar Skripalët në muajin mars.

Britania ka fajësuar Rusinë për tentim-vrasje, mirëpo Moska ka hedhur poshtë këto akuza.

“Shteti rus do të mund të na tregonte se çfarë ka ndodhur, çfarë kanë bërë dhe të mbushnin disa hapësira që jemi duke tentuar t’i zbulojmë”, ka thënë ministri britanik i Sigurisë, Ben Wallance për BBC-në.

“Ata janë të vetmit që mund të na tregojnë të gjitha gjurmët për t’i mbajtur njerëzit të sigurt”, ka shtuar ai.

Duke e cilësuar incidentin e ri “shumë shqetësues” Kremlini ka thënë më vonë se nuk është njoftuar për ndonjë kërkesë për ndihmë në hetime nga ana e autoriteteve britanike.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, po ashtu ka thënë se Moska i ka ofruar ndihmë Britanisë për sulmin në Sallsbëri kohë më parë, mirëpo autoritetet britanike e kanë refuzuar një gjë të tillë.

Zyrtari britanik në sektorin kundërterrorizëm, Neil Basu, ka thënë më 4 korrik se testet kanë treguar që dy banorët e Eimsbërit i janë ekspozuar agjentit nervor Noviçok, i cili kishte helmuar edhe Skripalët.

XS
SM
MD
LG