Ndërlidhjet

BE vazhdon edhe zyrtarisht sanksionet kundër Rusisë


Flamuri rus.
Flamuri rus.

Bashkimi Evropian ka vazhduar edhe zyrtarisht sanksionet ekonomike kundër Rusisë deri më 31 janar të 2019-ës.

Sanksionet e vëna fillimisht më 2014, janë masë ndëshkuese për Rusinë, pas vendimit të kësaj të fundit për të aneksuar Krimenë si dhe për mbështetjen e separatistëve rusë në konfliktin në lindje të Ukrainës.

Sanksionet janë miratuar më 5 korrik dhe vijnë pas debatit të liderëve të Bashkimit Evropian për këtë çështje në samitin që është mbajtur në Bruksel më 29 qershor.

Sanksionet godasin sistemin bankar dhe atë të energjisë në Rusi.

Në samitin e BE-së, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kanë informuar homologët e tyre evropianë për nivelin e zbatimit të marrëveshjeve të Minskut, të cilat janë të lidhura me sanksione.

Marrëveshjet e Minskut janë arritur më 2014 dhe 2015 në kryeqytetin bjellorus, me qëllim të zgjidhjes së konfliktit dhe kanë bërë thirrje për një varg marrëveshjesh për armëpushim në lindje të Ukrainës, mirëpo asnjëra prej tyre nuk ka qenë e suksesshme.

Nga prilli i vitit 2014, në shumë se 10,000 persona kanë vdekur në luftimet në mes të forcave të Kievit dhe separatistëve, që kontrollojnë disa zona në rajonet Donetsk dhe Luhansk në lindje të Ukrainës.

Të dyja palët akuzojnë njëra-tjerën për shkelje të vazhdueshme të marrëveshjeve.

Liderët e BE-së do të shqyrtojnë mundësinë e vazhdimit të sanksioneve pas muajit janar, në takimin e tyre të planifikuar për muajin dhjetor.

XS
SM
MD
LG