Ndërlidhjet

Mustafa thotë se LDK është unike në qëndrimet për dialogun me Serbinë


Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes rrjetit social Facebook, tha se ka zhvilluar takime me liderë vendorë e ndërkombëtarë, gjatë rehabilitimit në shtëpinë e tij, pas trajtimit të një sëmundjeje në Gjermani për tre muaj.

“Mbrëmë prita Kryeministrin Haradinaj, me të cilin diskutuam lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun me Serbinë, qëndrime këto të cilat i kemi bërë publike si Kryesi e LDK-së dhe nga takimi me kryetarët e degëve të LDK-së”.

“Pas kthimit tim në Kosovë, para tre muajsh, ku akoma jam në proces të rehabilitimit fizioterapeutik, më kanë vizituar Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj, zv.Kryeministri Limaj, zv.Kryeministri Pacolli si dhe Kryetari i VV-së, z.Kurti. Jam takuar me Ambasadorin e SHBA-së, Greg Delaëie, me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O'Connell, më ka vizituar Ambasadorja e BE-së, znj.Apostolova dhe Shefja e EULEX-it, znj.Papadopoulou”. tha Mustafa përmes rrjetit social Facebook.

Mustafa shtoi se Lidhja Demokratike e Kosovës qëndron unike në cështjet madhore si dialogu me Serbinë.

“Të gjitha qëndrimet e LDK-së janë të koordinuara me Kryesinë e LDK-së, me nënkryetarët e LDK-së, me sekretarin e përgjithshëm, me shefin e Grupit Parlamentar, me nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e LDK-së dhe me kryetarët e degëve të LDK-së”, tha Mustafa.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon ta kundërshtojë rolin e presidentit Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë. Sipas LDK-së, Thaçi ‘pa asnjë autorizim, ende pa nisur mirë dialogu me Serbinë, i ka hequr të gjitha vijat e kuqe’.

Rezultati përfundimtar i dialogut sipas LDK-së, duhet të jetë normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të dy shteteve, i cili arrihet vetëm me njohje reciproke.

XS
SM
MD
LG