Ndërlidhjet

Nuk ka agjendë në samitin Trump-Putin


Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin.

Presidenti amerikan, Donald Trump do të takojë të hënën homologun e tij rus, Vladimir Putin, duke i dhënë fund një udhëtimi të zhurmshëm në Evropë, në të cilin ka kritikuar aleatët e tij.

Trump ka thënë se ka "pritshmëri të vogla" në takimin e tij me Putinin në Helsniki, mirëpo ka shtuar se "ndoshta diçka e mirë", mund të ndodhë.

Takimi i shumëpritur do të zhvillohet në kohën kur 12 zyrtarë rusë janë akuzuar nga autoritetet amerikane për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Trump ka thënë se do të diskutojë për këtë çështje, mirëpo samiti nuk ka ndonjë agjendë zyrtare.

Prej ditës së premtë, kur janë bërë të ditura paditë ndaj rusëve, presidenti amerikan është përballur me thirrje për të anuluar samitin.

Rusia kundërshton vazhdimisht akuzat, derisa ka thënë se mirëpret takimin me Trumpin, si hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Këshillari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, ka thënë se të dy palët janë pajtuar që samiti të mos ketë agjendë.

Mirëpo ai ka thënë se e ka "vështirë të besojë" se Putin nuk ka njohuri për ndërhyrjet e supozuara në zgjedhje dhe se kjo temë do të diskutohet.

Trumpit i është bërë thirrje për të hapur debatin edhe për helmimin e dy personave në Britani të madhe, pasi i janë ekspozuar agjentit nervor Noviçok.

Hetuesit kanë thënë se incidenti mund të jetë i lidhur me helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, në muajin mars në Sallsbëri.

XS
SM
MD
LG