Ndërlidhjet

Ekstradohet nga Gjermania në Rusi i dyshuari për trafikim të drogës


Kokaina e gjetur në Ambasadën ruse në Argjentinë.
Kokaina e gjetur në Ambasadën ruse në Argjentinë.

Një person, i cili sipas Shërbimit të Sigurisë Federale (FSB), qëndron prapa tentimit për të trafikuar rreth 400 kilogramë kokainë nga Argjentina në Rusi, është ekstraduar nga Gjermania. Ky person, tashmë gjendet në një burg në Moskë, ka thënë avokati i tij.

I dyshuari, Andrei Kovalchuk “gjendet në qendrën e ndalimit në Matrosskaya Tishina dhe zyrtarisht është akuzuar për trafikim të drogës”, tha avokati i tij, Vladimir Zherebenkov.

Megjithatë, avokati mbrojtës nuk tregoi se kur klienti i tij ishte ekstraduar nga Gjermania. Kovalchuk ka refuzuar që t’i përgjigjet pyetjeve të hetuesve, duke u thirrur në të drejtën që ia garanton Kushtetuta, për të mos dëshmuar kundër vetës.

Autoritetet ruse thonë se Kovalchuk është i dyshuari kryesor në trafikimin e kokainës nga Argjentina për në Rusi. Droga, sipas autoriteteve, ishte shpërndarë në 16 valixhe që ishin lënë në hapësirat Ambasadën ruse në Buenos Aires.

Vlerësohet se vlera e kokainës në valixhe të ketë qenë 60 milionë dollarë.

Ministrja e Sigurisë së Argjentinës, Patricia Bullrich, në shkurt kishte deklaruar se 389 kilogramë kokainë ishin gjetur në disa valixhe dhe ishin sekuestruar në dhjetorin e vitit 2016.

Kokaina më pas ishte zëvendësuar me miell dhe valixhet ishin dërguar më 2017 në Rusi, ku dy persona ishin arrestuar kur kishin shkuar të marrin dërgesën, ka thënë Bullrich.

FSB më herët ka thënë se tre të dyshuar janë arrestuar në Rusi dhe dy të tjerë në Argjentinë, pas një operacioni të përbashkët të autoriteteve në të dyja shtetet.

Ata thanë se organizatori kryesor – që më vonë u identifikua se ishte Kovalchuk, ishte ish-punëtor në Ambasadën ruse në Argjentinë dhe ishte rritur në Gjermani - ishte i kërkuar dhe për të ishte lëshuar arrest ndërkombëtar.

Ministria e Jashtme ruse tha më vonë se Kovalchuk asnjëherë nuk ka punuar as në Ministri, por as në Ambasadën ruse në Argjentinë.

XS
SM
MD
LG