Ndërlidhjet

SHBA përsërit kërkesën e tërheqjes së forcave iraniane nga Siria


Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton.

Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton ka thënë se, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë presion për tërheqje të plotë të ushtrisë iraniane nga Siria, teksa do të zhvillojë negociata me Rusinë lidhur me luftën civile siriane.

Në një intervistë të publikuar më 22 gusht, Bolton ka thënë se Uashingtoni ka një kontigjent prej mijëra ushtarësh amerikanë në Siri, pasi ka pjesërisht edhe shqetësime se luftëtarët iranianë në këtë shtet mund të përbëjnë rrezik për aleatin e SHBA-së, Izraelin.

“Interesi ynë në Siri është t’i japim fund shkatërrimit të kalifatit territorial (të Shtetit Islamik), të përballemi edhe rrezikun e vazhdueshëm të terrorizmit nga IS-i, si dhe të shqetësohemi për prezencën e milicisë iraniane dhe forcave të sigurisë”, ka thënë ai.

“Këto janë çështjet që na mbajnë neve aty”.

Bolton pritet të takohet me homologun e tij rus, Nikolai Patrushev në Gjenevë më 23 gusht.

Ky takim është shënon herën e parë të takimeve të delegacionit të lartë në mes të dy shteteve, prej samitit të mbajtur në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit rus, Vladimir Putin muajin e kaluar në Helsinki.

Të dy presidentët kanë diskutuar kërkesën e SHBA-së dhe Izraelit për tërheqje të trupave iraniane nga Siria.

Bolton ka thënë për Reuters se Putin ka informuar Trumpin në samit se, Rusia nuk mund të detyrojë largimin e trupave iraniane.

“Mirëpo ai po ashtu na ka thënë se interesi i tij dhe i Iranit nuk është saktësisht i njëjtë në Siri. Kështu që ne natyrisht se do të flasim për rolin që ata mund të luajnë”, në takimin e radhës, ka thënë Bolton.

XS
SM
MD
LG