Ndërlidhjet

Kryeministri çek kërkon që Evropa të ketë "plan gjithëpërfshirës" për migrantët


Kryeministri i Çekisë, Andrej Babis.

Kryeministri i Çekisë, Andrej Babis, tha se nevojtitet një plan gjithëpërfshirës veprimi për të ndaluar migrimin e paligjshëm.

"Nëse Italia dhe Malta nuk i mirëpresin migrantët, Spanja i mirëpret. Në këtë mënyrë, ne u dërgojmë mesazh atyre se mund të vijnë në Evropë, nga Maroku përmes Spanjës", shkroi Babis në një artikull për gazetën çeke, Dnes.

"Kjo duhet të ndalojë; në të kundërtën, fluksi i migrantëve nuk do të ndalojë kurrë".

"Planifikoj të diskutoj rreth kësaj me udhëheqësit evropianë", tha Babis, i cili do të vizitojë këtë javë Italinë dhe Maltën.

Vizita e tij në këto dy vende do të përkojë me atë të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, i cili po ashtu ka qëndrim të ashpër ndaj migracionit të paligjshëm.

"Dua ta diskutoj çështjen me partnerët e mi në Itali dhe Maltë dhe natyrisht me kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila së voni ka negociuar me Spanjën", tha Babis.

"Duhet të nisim bashkëpunimin në mënyrë serioze, për të gjetur një zgjidhje, sepse kemi humbur tre vjet në një debat bosh për kuotat e migrantëve", tha kryeministri çek.

Migrimi është një çështje e nxehtë në Republikën Çeke, vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian, i cili ka pranuar vetëm një numër të vogël migrantësh që nga kriza me ta, në vitin 2015.

Babis përsëriti të hënën se Republika Çeke "nuk do të mirëpresë migrantë të paligjshëm".

XS
SM
MD
LG