Ndërlidhjet

Peskov: Putin është i gatshëm të takohet me Trumpin në samitet e ardhshme


Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Kremlini ka njoftuar se presidenti rus, Vladimir Putin mund të zhvillojë bisedime me homologun e tij amerikan, Donald Trump në tri samite që do të mbahen deri në fund të vitit.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov ka thënë në një intervistë të publikuar më 31 gusht në gazetën Izvestia se, bisedimet në mes të dy liderëve janë të mundshme në organizimet ndërkombëtare që pritet të ndodhin në Singapor, Francë dhe Argjentinë.

Sipas Peskovit, Kremlini është i gatshëm të zhvillojë bisedime të tilla, “mirëpo gjithçka varet nga reciprociteti”.

Më 11 nëntor, liderët e të gjitha shteteve të përfshira në Luftën e Parë Botërore, do të mbledhen në Francë për të shënuar 100-vjetorin e përfundimit të konfliktit”.

Putin dhe Trump po ashtu pritet të jenë pjesë e Samitit të Azisë Lindore të Singapor, që zhvillohet nga 11-15 nëntor, si dhe në samitin dyditor të G-20-ës që organizohet në Argjentinë më 30 nëntor.

Putin dhe Trump janë takuar ballë për ballë me njëri-tjetrin më 16 korrik në Helsinki.

Të dy presidentët kanë thënë se diskutimet kanë qenë produktive dhe të sukesesshme.

Trump, që gjatë fushatës së presidenciale dhe gjatë udhëheqësisë ka përmendur vazhdimisht synimet e tij për marrëdhënie më të mira me Rusinë dhe Putnin në veçanti, është përballur me kritika të ashpra nga ligjëvënësit amerikanë, duke përfshirë republikanë të mirënjohur, të cilët kanë qenë të pakënaqur me paraqitjen e Trumpit gjatë konferencës së përbashkët pas takimit me Putinin.

Trump është dukur se u ka besuar mohimeve të Putinit se Rusia nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane në SHBA më 2016 dhe se nuk ka në plan të bëjë një gjë të tillë në të ardhmen, pavarësisht të dhënave të agjencive amerikane të Inteligjencës dhe komiteteve të Kongresit se Moska ka ndërhyrë në këtë proces.

Disa kritikë janë ankuar se pse nuk ka pasur ndonjë raportim për ndonjë marrëveshje që mund të jenë arritur në mes të dy palëve.

Mirëpo përveç dy presidentëve, në takim kanë qenë pjesëmarrës vetëm përkthyesit e tyre, duke pamundësuar nxjerrjen e detajeve të bisedës.

XS
SM
MD
LG