Ndërlidhjet

Pahor: BE-ja duhet të shtyjë planet për zgjerim në Ballkanin Perëndimor


Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor

Bashkimi Evropian është dobësuar me daljen e Britanisë së Madhe nga blloku dhe ndoshta do të duhet të shtyjë planet për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, ka thënë presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor. Siç njofton gazeta britanike “Express”, Pahor theksoi se BE-ja, në gjendjen e tanishme, nuk mundet që të pranojë Serbinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë si anëtare të reja.

“Një Bashkim Evropian i dobët nuk mund të zgjerohet në Ballkanin Perendimor”, ka thënë Pahor në Forumin e Bledit.

Sipas presidentit slloven, gjithçka është e ndërlidhur dhe se Bashkimi Evropian po kalon në një periudhë të vështirë në të cilën duhet të ndërmarrë vendime.

Siç thekson gazeta britanike, Bashkimi Evropian ka premtuar perspektivë për anëtarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të cilat duhet të përmbushin kritere të ashpra për të qenë pjesë e bllokut.

Negociatat për anëtarësim tashmë kanë filluar me Serbinë dhe Malin e Zi dhe se flitet që 2025 ështe data kur këto vende mund të jenë anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Evropian.

BE-ja shpreson se deri atëherë, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia dhe Kosova do të jenë në rrugë të mirë për anëtarësim.

XS
SM
MD
LG