Ndërlidhjet

QKSS: Serbia ka ushtruar "agresion" ndaj FSK-së


Pjesëtarë të FSK-së
Pjesëtarë të FSK-së

Serbia "ka bërë agresion" ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, "duke ushtruar dhunë" për tërheqjen e pothuajse 50 përqind të pjesëtarëve serbë nga FSK-ja, thuhet në një raport të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Sipas kësaj qendre, ky numër mund të rritet në muajt e ardhshëm nëse nuk ndërmerren masat e duhura nga institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Si mjet presioni janë përdorur kërcënimet për largimin nga paga/pensioni i familjarëve të ngushtë dhe të gjerë të këtyre pjesëtarëve dhe ndalim-hyrja në Serbi. Hulumtuesit e QKSS-së kanë gjetur se janë bërë trysni psikologjike dhe janë përdorur metoda speciale, ku këtyre pjesëtarëve u është transmetuar se kinse së shpejti do të ketë luftë në mes Serbisë dhe Kosovës dhe se ata do të përfundojnë duke luftuar kundër vëllezërve të tyre serbë të Armatës Serbe”, thuhet në raportin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.

Rol të drejtpërdrejtë në këtë operacion, sipas këtij raporti, ka pasur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, kryetari i Komisionit Parlamentar serb për Kosovën, Millovan Drecun, si dhe eksponentë të subjektit politik Lista Serbe në territorin e Kosovës.

Raporti i rekomandon Qeverisë së Kosovës, që në bashkëpunim me praninë ndërkombëtare, të bëjë plan për të parandaluar largimin tutje të pjesëtarëve serbë të FSK-së, përderisa Shtetet e Quintit (SHBA-ja, Britania së Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia) duhet të kushtëzojnë Serbinë në kontekst të integrimit në BE, lidhur me veprimtarinë e saj të vazhdueshme në dëm të FSK-së dhe institucioneve tjera.

“Shtetet e Quintit duhet të kushtëzojnë Serbinë në kontekst të integrimit në BE lidhur me veprimtarinë e saj të vazhdueshme në dëm të FSK-së dhe institucioneve tjera”, theksoi organizata kosovare që merret me studime të sigurisë

Si zgjidhje të kësaj situate, hulumtuesit e Qendrës për Studime të Sigurisë rekomandojnë që Ministra e Forcës së Sigurisë të bëjë rekrutimin e ri të pjesëtarëve serbë si kundër-masë ndaj veprimeve të Serbisë.

Vetëm në pjesën e parë të këtij viti, mbi 60 pjesëtarë serbë të FSK-së i kanë dorëzuar kërkesat për dorëheqje nga ky institucion.

Lexoni edhe këtë: Nëpërmjet FSK-së, Beogradi e komplikon dialogun

XS
SM
MD
LG